Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Mërkure, 26.04.2017




Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, i kryesuar nga kryetari Faton Topalli, ka shqyrtuar sot Raportin e Auditimit për Raportin Financiar të Fondit të Bashkuar për Sektorin e Arsimit, për periudhën janar-mars 2016, si dhe Raportin e Auditimit, Procesi i Rishikimit të Teksteve Shkollore.

Në këtë takim ishin të pranishëm ministri i MASHT-it, Arsim Bajrami, zv/ministri i Arsimit, Agim Bërdyna, si dhe përfaqësues të tjerë nga MASHT dhe ata nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, për të dhënë sqarime të nevojshme para Komisionit lidhur me këto raporte.

Gjatë diskutimit të këtyre raporteve Komisioni kërkoi sqarime nga ministri Bajrami për tu siguruar nëse rekomandimet e auditorit do të implementohen, duke përmendur në vijim disa nga mangësitë që janë të prezantuara në raportin e auditorit.

Me këtë rast, Komisioni përmendi konstatimet e auditorit për parregullsi të shumta, që kanë të bëjnë me tekstet shkollore, me theks të veçantë për furnizimin me tekste, në aspektin buxhetor, si dhe shpërndarjen e tyre.

Duke u fokusuar në objektivat kryesore që janë të prezantuara nga auditori, anëtarët e Komisionit përmendën faktin se përmirësimi i teksteve shkollore është bërë pjesërisht, ndërkaq sa i përket lehtësimit të çantave, u vlerësua se kjo çështje nuk ka ndryshuar. Tutje, sa i përket kursimeve buxhetore, përmes reduktimit të teksteve, u tha se në këtë pikë nuk është bërë ndonjë reduktim dhe se janë botuar edhe tekste të panevojshme.

Ministri Bajrami duke dhënë sqarimet e tij lidhur në çështjet që u ngritën në këtë takim, mes tjerash vlerësoi faktin se janë të kënaqur me raportin e auditimit, me që ky raport ka ndihmuar ata që të rrisin perfomancën në këtë institucion. Ai në vijim ka përmendur edhe udhëzimin e ri administrativ, për shpërndarje të teksteve dhe porosinë e teksteve, si dhe Projektligjin për tekstet, i cili tha se është në finalizim të draftimit. Kjo sipas tij , do ta largojë monopolin, meqë qeveria do ta ndërtojë një shtypshkronjë të saj për tekste dhe nevoja tjera të qeverisë.

Sa i përket çështjes së çantave të nxënësve, ai tha se ky është një problem global dhe se mesatarja e çantave në Bashkimin Evropian është rreth 7.5 kg. Aktualisht në Kosovë çanta është 7 kilogram dhe MASHT-i, sipas tij, është duke u përpjekur që këtë ta zbres në 5 kg. Megjithatë, shtoi ministri Bajrami, këtë çështje duhet ta zgjidhim si shoqëri dhe me këtë rast përmendi edhe planifikimin e ministrisë për reduktim të faqeve të teksteve shkollore, futjen e tekstit digjital etj. Por, ai tha se ky është problem që kërkon kohë për zgjidhje.

Krejtësisht në fund, ministri Bajrami vlerësoi se do të vazhdojnë të punojnë në ngritjen permanente në perfomancën e menaxhimit të teksteve, si dhe do të shtojnë efikasitetin si ministri dhe do ta intensifikojnë bashkëpunimin me komunat.

 

 

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike