Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Marte, 25.04.2017
Shqyrtimi i Raportit të tremujorit të parë financiar për vitin 2017 të Radiotelevizionit të Kosovës, si dhe Programii shpenzimeve të RTK-së për periudhën prill-qershor 2017, ishte temë e debatit të sotëm në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa, të cilën e kryesoi kryetari i komisionit, Naser Osmani.
Lidhur me këtë, para anëtarëve të komisionit sqaroi kryetari i Bordit të RTK-së, Ismet Bexheti.
Pas paraqitjes së përfaqësuesit të RTK-së, anëtarët e komisionit adresuan një varg kritikash dhe kërkuan sqarime për shpenzimet e deritashme dhe ato që janë paraparë për tremujorin e ardhshëm.
Pas debatit dhe sqarimeve që ofruan përfaqësuesit e RTK-së, anëtarët e komisionit me shumicë votash e përkrahën këtë raport si dhe Planin e shpenzimeve për muajt prill- qershor.
Komisioni në këtë mbledhje, po ashtu shqyrtoi dhe përkrahu edhe kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me Vendimin e Qeverisë për vendosjen e normës së tatimit të akcizës.
Vendimin e Qeverisë për vendosjen e normës së tatimit të akcizës, i paraqitën ministri i Ministrisë së Financave Avdulla Hoti dhe drejtori i Doganave të Kosovës, Bahri Berisha.
Në këtë mbledhje komisioni përkrahu edh raportin me rekomandime të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri të Projektligjit për shoqëritë tregtare.