Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
E Marte, 25.04.2017
Mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Dixhitalizimin e transmetimeve radiodifuzive tokësore, ishte temë e debatit të sotëm në dëgjimin publik, të organizuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.
Debatin e udhëhoqi deputeti Raif Qelaj, anëtar i Komisionit dhe kryesues i grupit punues për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji.
Duke folur për qëllimin e këtij takimi, Qelaj vuri në dukje rëndësinë e zbatimit të këtij ligji dhe për të arritur këtë ai vlerësoi se duhet angazhim i të gjithë faktorëve relevantë dhe grupeve të interesit.
Në emër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), foli Enver Basha.
Sipas tij, niveli i zbatimit të ligjit nuk është i kënaqshëm dhe kjo është si pasojë e ndryshimit të Projektligjit të cilin e ka propozuar MZHE-ja. Lidhur me këtë ai u shpreh:
"Kuvendi ka amendamentuar disa nene të cilat e kanë shkarkuar ministrinë nga përgjegjësia e zbatimit të ligjit.
Prandaj, përgjegjësia e implementimit të tij tashmë është kryesisht në kompetencë të Këshillit të Pavarur të Mediave (KPM), i cili nuk ka kapacitete të mjaftueshme të implementimit të ligjit", theksoi Basha.
Deputetja Xhevahire Izmaku, njëherësh kryetare e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, ishte e mendimit se për procesin e digjitalizimit të transmetimeve radoidifuzive kërkohen mjete buxhetore dhe për këtë vlerësoi se duhet shikuar mundësit gjatë rishikimit të buxhetit.
Në vijim fjalën e mori përfaqësuesi i Këshillit të Pavarur të Mediave (KPM), Xhemail Krasniqi, i cili këtë proces e cilësoi të rëndësisë së veçantë dhe për jetësimin e tij kërkoi angazhim të të gjithëve.
Ai foli në hollësi për hapat e ndërmarrë nga ana e tyre për zbatimin e këtij ligji, ku me theks të veçantë vuri në dukje përgatitjen e Strategjisë për implementimin e ligjit. Kjo strategji, tha ai, është hartuar deri në detaje dhe përshkruan qartazi hapat që duhen të ndërmerren që ajo të jetësohet. Po ashtu, ai njoftoi edhe për hartimin e rregullores, sipas së cilës është përshkruar angazhimi konkret i të gjithë faktorëve relevantë në domenin e të cilëve bie implementimi i ligjit. Duke folur për sfidat, ndërkaq, Krasniqi vuri në spikamë mungesën e mjeteve buxhetore.
Ardita Zejnullahu në emër të AMPEK-ut, duke folur për procesin e dixhitalizimit të transmetimeve radiodifuzive tokësore,vlerësoi se KPM-ja është e papërgatitur që të udhëheqë këtë proces dhe vlerësoi po ashtu se, për jetësimin me sukses të tij mungon analiza e duhur.
Përfaqësuesi i ARKEP-it në këtë debat, Kreshnik Gashi, bëri thirrje për një mobilizim të të gjithëve, në mënyrë që ky proces të përfundojë me sukses. Ai vlerësoi se moszbatimi i ligjit ka pasur efekt negativ në operimet telekomunikative.
Në kërkim të gjetjes së mënyrave më të përshtatshme për implementimin e këtij ligji, në debat u inkuadruan edhe një numër i madh deputetësh, të cilët kërkuan që vërejtjet dhe rekomandimet për zbatimin e tij të dërgohen edhe me shkrim në komision.