Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion…
E Marte, 25.04.2017
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, kryesuar nga kryetarja Albulena Haxhiu, në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar Raportin vjetor të punës së Agjencisë Kundër Korrupsionit, për vitin 2016.
Fillimisht, Shaip Havolli, drejtor i AKK-së, duke folur për punën njëvjeçare të AKK-së dhe duke prezantuar raportin vjetor të këtij institucioni, sqaroi se në fushën e hetimeve AKK-ja ka ushtruar kallëzime penale për shpërdorim të detyrës zyrtare në 28 raste, nga 42 persona të dyshuar dhe sipas tij, 25 raste kanë qenë në deklarim të pasurisë. Ndërsa, 13 raste tjera janë dërguar në polici dhe prokurori për hetime të mëtejme.
"Në hetime paraprake kanë qenë 276 raste, 106 raste janë mbyllur pa elemente të veprës penale, ndërsa 45 raste janë nën hetime", sqaroi Havolli.
Sa i përket deklarimit të pasurisë gjatë vitit 2016, Havolli sqaroi se obligim zyrtar për deklarim të pasurisë kanë pasur 4.352 zyrtarë dhe 4.334 sosh e kanë deklaruar pasurinë e tyre, ndërsa 18 zyrtarë të lartë publikë nuk e kanë deklaruar fare dhe ndaj tyre është ushtruar kallëzim penal.
Tutje, Havolli duke folur edhe për deklarimin e dhuratave të institucioneve, tregoi se 11 institucione kanë deklaruar dhuratat, ndërkaq 36 institucione nuk e kanë pranuar këtë fakt.
Sa i përket fushës së prokurimit publik, Havolli ka shtuar se në këtë fushë ende ka telashe dhe se 127 raste janë trajtuar për shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik dhe se me këtë rast janë dhënë 62 opinione, ndërsa 37 raste janë të mbyllura dhe janë dhënë 25 këshilla.
"Në fushën e konfliktit të interesit janë trajtuar 210 raste, 90 prej tyre i janë shmangur konfliktit të interesit, 11 raste kanë rezultuar pa konflikt interesi dhe një rast është përcjell për hetime për procedurë dhe është ushtruar kallëzim penal", u shpreh mes tjerash z. Havolli, duke folur në vijim edhe lidhur me bashkëpunimin që ka AKK-ja me institucionet tjera, me theks të veçantë me Prokurorinë dhe Policinë. Ai më pas ka folur edhe për ndryshimet legjislative që do të ndodhin lidhur me rolin dhe mandatin e këtij institucioni, në mënyrë që të fuqizohet roli i AKK-së.
Në vijim kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, duke kërkuar sqarime nga kreu i AKK-së, ka shprehur edhe pakënaqësinë e saj lidhur me punën e AKK-së. Me këtë rast ajo kërkoi të dhëna nga Havolli sa i përket kallëzimeve penale, me theks të veçantë për mbylljen e këtyre rasteve, nëse këto çështje bien mbi përgjegjësinë e AKK-së apo të prokurorisë. Ajo shfaqi kritika edhe për mos analizimin më të detajuar të provave nga AKK-ja. Po ashtu, Haxhiu foli edhe lidhur me Projektligjin për Financimin e Partive Politike, që AKK-ja ta ketë përgjegjësinë për auditim.
Tutje, Haxhiu kërkoi sqarime edhe lidhur me ndryshimet të cilat duhet të bëhen në legjislacion, në mënyrë që të fuqizohet ky institucion.
Edhe Selvije Halimi, nënkryetare e këtij komisioni, vlerësoi se raporti i AKK-së është me përmbajtje pozitive dhe pasi kërkoi të dhëna shtesë për punën e këtij institucioni, përmendi faktin se duhet t' i qasemi më seriozisht parandalimit të konfliktit të interesit.
Në vijim foli edhe anëtari i Komisionit, Armend Zemaj, i cili mes tjerash tha se duhet të rritet kompetenca ekzekutive e AKK-së dhe se duhet të ketë rezultate më konkrete në parandalimin e konfliktit të interesit dhe korrupsionit.
Ndërkaq, Agim Aliu, pasi ka kritikuar punën e institucioneve të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit, është fokusuar në kritika edhe për tenderët njëburimor.
Valdete Bajrami po ashtu foli për domosdoshmërinë e ndryshimit të formularëve të deklarimit të pasurisë, duke kërkuar sqarime shtesë lidhur me këtë çështje. Ndërkaq, Doruntina Maloku pyeti drejtorin Havolli se me çfarë presioni përballet AKK-ja.
Pasi drejtori i AKK-së dha përgjigje në të gjitha çështjet që deputetët ngritën gjatë këtij takimi, Komisioni përkrahu raportin.
Në këtë mbledhje komisioni ka shqyrtuar edhe përkrahur amendamentet e grupit punues për Projektligjin për ndërmjetësim, pas prezantimit të kryetarit të grupit të punës, Nezir Çoçaj.