Lajmet e fundit
Kosova kryeson plenumin e parlamentit të komunitetit të energjisë
E Marte, 25.04.2017
Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Muhamet Mustafa, do të kryesojë sonte Sesionin e Parlamentit të Komunitetit të Energjisë, që mbahet në Bruksel dhe do t'i adresohet këtij forumi në emër të Kosovës.
Ky forum përbëhet nga përfaqësuesit e parlamenteve të Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Bullgarisë, Bosnjë e Hercegovinës, Kroacisë, Malit të Zi, Rumanisë, si dhe 16 përfaqësuesve të Parlamentit Evropian, i formuar për të mbështetur politikat për realizimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, të aprovuar më 2003.
Forumi përqendrohet në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji, me çmime të pranueshme, energji brenda kritereve ekologjike nëpërmjet përafrimit të kornizës ligjore për këtë sektor, projekteve të përbashkëta për rrjetin e infrastrukturës energjetike dhe krijimin e tregut të përbashkët të energjisë.
Deputetët Muhamet Mustafa dhe Besim Beqaj përfaqësojnë Kosovën në këtë forum të rëndësishëm.