Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...
E Hënë, 24.04.2017
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë dhe Sport, në mbledhjen e mbajtur sot, të udhëhequr nga Nait Hasani, kryetar, shqyrtoi Projektligjin e Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës.
Kryetari Hasani bëri të ditur së projektligji është shqyrtuar në mbledhjet e kaluara dhe është përcjellë në seancë, por siç deklaroi ai, projektligji është tërhequr nga Kuvendi për shkak të kuorumit, në mungesë te dy të tretave të votave nga radhët e komuniteteve pakicë.
Anëtarët e komisionit vlerësuan se Projektligji për Arsimin e Lartë ka shumë vërejtje dhe nuk u pajtuan me përmbajtjen e tij.
Në këtë takim anëtarët e pozitës kërkuan që projektligjit t'i ndryshohet përmbajtja dhe t'i kthehet prapë Ministrisë së Arsimit, për ta bërë një ligj më të favorshëm dhe më përmbajtësor për të gjitha universitetet, si të atyre private ashtu edhe atyre publike.
Anëtarët e opozitës, nga ana e tyre, nuk u pajtuan që ligji prapë të kthehet në ministri, kërkesë e tyre ishte që projektligji të shqyrtohet nga komisioni dhe të jepen rekomandimet si dhe vërejtjet e tyre për plotësim- ndryshim.
Komisioni nuk arriti të marrë vendim në mungesë kuorumi, pasi që anëtarët e komisionit nga opozita lëshuan mbledhjen. Komisioni pritet të diskutojë sërish në mbledhjen e radhës lidhur me këtë çështje.