Lajmet e fundit
Nga mbledhja e tretë e përbashkët e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë
E Enjte, 20.04.2017
Sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës është zhvilluar sesioni i parë i mbledhjes së tretë të përbashkët të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, nën kryesimin e përbashkët të Xhavit Halitit, kryetar i Komisionit për Stabilizim Asociim në Kuvendin e Kosovës, njëherësh nënkryetar i Kuvendit, si dhe Tonino Piculas, kryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian.
Bashkëkryesuesi i mbledhjes, Xhavit Haliti, në fjalën e tij të hapjes, tha se institucionet e Kosovës kanë qenë dhe mbesin të përkushtuara në përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, të cilën ai e quajti jetike për Kosovën. Ai përmendi lansimin nga ana e Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës të Agjendës për Reforma Evropiane, si një platformë për të ndihmuar zbatimin e MSA-së si dhe për të lëvizur Kosovën në një fazë tjetër të procesit të integrimit.
"Kuvendi i Republikës së Kosovës këtë javë ka miratuar Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit për periudhën 2017-2021, i cili parasheh masat afatshkurtra dhe prioritetet afatmesme që kanë për qëllim përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga MSA-ja. Mirëpo, përmbushja e këtyre obligimeve, si dhe i tërë procesi i integrimit, për t'u realizuar me sukses, kërkon përkushtim, koordinim ndër-institucional si dhe konsensus politik", theksoi Haliti.
Në vazhdim, nënkryetari i Kuvendit përmendi edhe sfidat të cilat institucionet e Kosovës duhet t'i adresojnë me seriozitet dhe punët që ato duhet të kryejnë. Haliti tha se qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbesin të privuar nga e drejta e lëvizjes së lirë në zonën Schengen, duke mbetur peng i mospërmbushjes së detyrave të brendshme.
Duke e marrë fjalën në këtë takim, bashkëkryesuesi tjetër, Tonino Picula, tha se Bashkimi Evropian mbështet politikën aktive të zgjerimit. Ai e vlerësoi mbledhjen e vitit të kaluar si produktive, duke sjellë ndër mend rekomandimet e përbashkëta të arritura pas shumë debatesh.
"E nisëm vitin e kaluar me një debat të thellë dhe me këtë rast shpresoj që do të përfshihemi në një bashkëpunim konstruktiv që do të kontribuojë në përfshirjen e Kosovës në integrimin në BE. Ne jemi krenarë që të jemi pjesë e këtij procesi si partnerët tuaj", theksoi Picula. Ai shtoi se ndryshimet pozitive lidhur me legjislacionin duhet të shndërrohen në rezultate të vërteta në këto fusha, ashtu që qytetarët e Kosovës t'i shohin.
Ministri i jashtëm i Kosovës, njëherësh kryetar i Këshillit për Stabilizim Asociim, Enver Hoxhaj, konfirmoi orientimin proevropian të shtetit të Kosovës, në kohën kur këto vlera po sfidohen anekënd Evropës. Hoxhaj tha se hyrja në fuqi e MSA-së, të cilën ai e cilësoi kornizë për të modernizuar politikën, ekonominë dhe shoqërinë, ka mundësuar një dialog lartë të strukturuar në nivelin politik në Bruksel.
Në vazhdim, ministri i jashtëm theksoi përkushtimin e qeverisë për të përmbushur Agjendën Evropiane të Reformave, ndërsa foli për përmirësimin e performancës së institucioneve demokratike të Kosovës gjatë muajve të fundit, si dhe arritjet që janë shënuar në politikën e jashtme, përfshirë këtu njohjet e reja dhe anëtarësimin në disa organizata ndërkombëtare.
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, foli ndërkaq, për arritjet që janë shënuar në procesin e zbatimit të MSA-së, por edhe për liberalizimin e vizave.
Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së BE-së në Prishtinë, njëherësh Përfaqësuese Speciale e BE-së në Kosovë, duke folur në emër të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, dhe të Komisionit Evropian, e konsideroi MSA-në të një rëndësie të veçantë, e cila, sipas saj, është përcjellë nga ana e BE-së, me këshilla dhe financiarisht. Ajo tha se MSA-ja në mënyrë proaktive ofron mundësinë e zhvillimit ekonomik të Kosovës nëpërmjet reformave që duhet të bëhen.
Apostolova theksoi nevojën e reformave në arsimin e lartë e të luftimit të ekonomisë jo formale, duke shtuar se këto mund të bëhen vetëm me koordinimin e ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit. Ajo vlerësoi po ashtu se Kosova duhet të miratojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe të luftojë krimin e organizuar e korrupsionin, në kuadër të procesit për liberalizimin e vizave.
Lidhur me zbatimin e MSA-së dhe sfidat të cilat Kosova i ka para vetes, folën anëtarët e delegacionit të Parlamentit Evropian, Julie Ward dhe Jasenko Selimoviq.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, foli për funksionimin e institucioneve demokratike, duke potencuar bazën ligjore mbi të cilën punojnë Kuvendi dhe Qeveria, por edhe raportet me njëri-tjetrin. Hamiti foli po ashtu edhe për raportet midis këtyre dy institucioneve në rrafshin legjislativ, duke e konsideruar të domosdoshme funksionalizimin e marrëdhënieve midis tyre, duke përfshirë këtu edhe mundësinë e emërimit të një ministri për lidhje me Kuvendin.
Po në këtë temë, foli edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, duke vlerësuar se për të pasur institucione demokratike, duhet poseduar dhe zhvilluar bashkërisht vetëdijen kolektive dhe kulturën politike.
Për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mbështetjen e sundimin e ligjit, duke përfshirë edhe funksionimin e gjyqësorit dhe vënien e drejtësisë në rastet e krimeve të luftës foli deputetja nga radhët e GP të Partisë Demokratike të Kosovës, Selvije Halimi dhe kryetarja e Grupit Parlamentar të Nismës, Valdete Bajrami. Lidhur me këtë temë, diskutuan edhe Julie Ward dhe Lars Adaktusson.
Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, foli për rekomandimet e miratuara gjatë mbledhjes së dytë të KPSA-së në Strasburg, duke u fokusuar te lufta kundër terrorizmit. Në sesionin e sotëm diskutoi edhe deputeti nga radhët e GP të Vetëvendosjes, Visar Ymeri.
Mbledhja vazhdon punimet nesër, duke filluar në orën 9:00.