Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe Kthim
E Mërkure, 19.04.2017
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, kryesuar nga Jasmina Zhivkoviq, kryetare e Komisionit, u shqyrtua Projektligji nr. 05/L-139 për ndryshim dhe plotësim të Ligjit nr. 03/L-064 për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.
Në këtë mbledhje, krahas anëtarëve të Komisionit, morën pjesë përfaqësuesit e OSBE-së, Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Ambasadës Zvicerane në Prishtinë, si dhe përfaqësuesi i Këshillit Konsultativ për Komunitete.
Anëtari i Komisionit Veton Berisha, duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, inicioi propozimin që në Republikën e Kosovës të shënohet Dita e Egjiptianëve më 24 qershor. Në vazhdim të mbledhjes, për këtë propozim votuan shumica e anëtarëve të Komisionit dhe propozuan që i njëjti të procedohet për shqyrtim të parë në Kuvendin e Kosovës.
Në vazhdim të mbledhjes, anëtarët e Komisionit u pajtuan që në fillim të muajit maj të organizohet një takim njëditor i Komisionit, jashtë Prishtine, me ç'rast do të shqyrtohet Plani i Punës të Komisionit për vitin 2017, si dhe do të formohen grupet punuese për mbikëqyrjen e Ligjit për Qeverisje Lokale dhe Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal.