Lajmet e fundit

Seanca e Kuvendit

E Mërkure, 19.04.2017




Seanca e sotme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti (një pjesë u kryesua nga Sabri Hamiti, nënkryetar), filloi me pikën e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës, ndërkaq në pyetjet e deputetëve u përgjigjën kryeministri Mustafa, si dhe ministrat e kabinetit qeveritar: Lutfi Zharku, Arsim Bajrami dhe Ferat Shala.

Ndonëse e paraparë për këtë seancë, nuk është zhvilluar interpelanca e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, sipas kërkesës së deputetes Donika Kadaj-Bujupi, e mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues, për çështjen e shfrytëzimit e thëngjillit dhe minierën e Sibovcit, si dhe interpelanca e ministrit Blerand Stavileci, sipas kërkesës së deputetit Visar Ymeri, i mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues, në lidhje me Kontratën e privatizimit të Kompanisë së Distribuimit të Energjisë Elektrike.

Interpelanca me kryeministrin nuk është zhvilluar për shkak të mungesës së deputetes Donika Kadaj -Bujupi (inicuese e interpelancës), e cila po qëndron në vizitë zyrtare në Hungari. Andaj, me propozim të kryetarit të Grupit Parlamentar të VV-së Glauk Konjufca, kjo pikë është hequr nga rendi i ditës.
Për shkak të mosprezencës së ministrit Blerand Stavileci, po ashtu është hequr nga rendi i ditës edhe interpelanca sipas kërkesës së deputetit Visar Ymeri.

Seanca vijoi me debatin parlamentar sipas kërkesës së deputetes Teuta Haxhiu, e mbështetur edhe nga 9 deputet tjerë nënshkrues, në lidhje me mos zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, deputetja Teuta Haxhiu, në cilësinë e iniciuesit të debatit tha: "Bazuar në rekomandimet e Avokatit të Popullit (AP), e që i përkasin raportit të vitit 2015, nga gjithsej 60 rekomandime, 36 janë të pa implementuara". Ndër shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut dhe mos zbatuese e rekomandimeve të AP-së, është Qeveria e vendit, tha deputetja Haxhiu.

Më tej, ajo bëri të ditur se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është institucioni tjetër që nuk zbaton rekomandimet, i pasuar nga sistemi i drejtësisë, përfshirë gjykatat, sistemin korrektues si dhe institucione të tjera.

Bazuar në këto të dhëna, ajo vlerësoi se është e nevojshme të zhvillohet debat dhe së fundmi të nxirren rekomandimet, të cilat i lexoi gjatë paraqitjes së saj.

Më pas folën përfaqësuesit e grupeve parlamentare, përkatësisht, Mexhide Mjaku-Topalli në emër të Grupit Parlamentar (GP) të PDK-së, Lirije Kajtazi GP LDK, Mytaher Haskukaj VV, ALi Berisha AAK dhe Shukrie Bytyqi, NISMA.

Me këtë rast, ata vlerësuan se rekomandimet e AP-së duhet zbatuar në tërësi dhe paraqitën raste konkrete të mos zbatimit të rekomandimeve.

Pas kësaj fjalën e mori edhe kryeministri i vendit Isa Mustafa, i cili debatin e vlerësoi të dobishëm, ndërkaq, u shpreh se moszbatimi i rekomandimeve nuk ka të bëjë me relacionet pozitë-opozitë. Ai vlerësoi se moszbatimi i rekomandimeve të AP-së nuk duhet përdorur për qëllime politike dhe bëri thirrje që për zbatimin e tyre të kontribuojnë të gjithë.

Në vijim folën një numër i konsiderueshëm deputetësh, të cilët vlerësuan se zbatimi i rekomandimeve të AP-së mbetet një ndër çështjet që kërkon vëmendje nga Qeveria dhe institucionet relevante.

Pas shterimit të këtij debati, Kuvendi vijoi punimet duke zhvilluar një debat tjetër sipas kërkesës së deputetëve Bekim Haxhiu dhe Xhevahire Izmaku, të mbështetur edhe nga 8 deputet tjerë nënshkrues, në lidhje me shkeljen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë.

Lidhur me këtë, iniciuesi i këtij debati, përkatësisht deputeti Haxhiu, në fjalën e tij u shpreh: "Është evidente se në Kosovë shkelen të drejtat e punëtorëve. Kushtet e punës, siguria dhe shëndeti në punë janë ndër brengat kryesore të çdo punëtori. Sipas raportimeve, vetëm në 5 vitet e fundit në sektorin e ndërtimtarisë 61 qytetarë kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës, ndërkaq 220 të tjerë janë lënduar", tha ndër të tjera deputeti Haxhiu.

Pas kësaj fjalën e morën përfaqësuesit e grupeve parlamentare.

Në emër të GP të PDK-së foli Abdyl Ymeri, të GP të LDK-së Armend Zemaj, VV-së Faton Topalli dhe të GP të AAK-së, Pal Lekaj.

Ata vlerësuan se debati është i rëndësishëm, por, për përmirësimin e pozitës së punëtorëve vlerësuan se duhet të ndërmerren një varg masash.

Përfaqësuesit e grupeve parlamentare, sikurse diskutuesit e shumtë që morën fjalën gjatë debatit, pasi konstatuan gjendjen e rëndë të punëtorëve, me theks të veçantë të atyre në sektorin privat, kërkuan zbatimin e Ligjit të punës dhe sigurimin e të drejtave të punës për të gjithë punëtorët.

Gjatë debatit, po ashtu u vlerësua se disa nga dispozitat e Ligjit të punës duhet ndryshuar, ndërkaq, u vu në spikamë numri i vogël i inspektorëve të punës, si dhe vlera e ulët e pagës minimale.

Në këtë debat u angazhua edhe ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.

Duke iu referuar gjendjes së punëtorëve në të gjithë sektorët, ministri vuri në dukje sfidat e ministrisë, por edhe të arriturat.

Ndër çështjet për të cilat duhet të ndërmerren masa të menjëhershme, ministri Abrashi vlerësoi shtimin e inspektorëve të punës. Për këtë kërkoi edhe ndihmën e Kuvendit, ndërkaq, foli edhe për Këshillin Ekonomik Social si dhe Këshillin Kombëtar për Siguri në Punë.

Pasi njoftoi për rolin e këtyre mekanizmave dhe angazhimin e tyre konkret në përmirësimin e pozitës së punëtorëve, ministri më pas vuri në pah edhe një sukses të ministrisë që ai udhëheq.

"Urojmë që asnjë punëtor të mos ketë lëndime në vendin e punës, por, dëshiroj t'iu informojë se ministria ka arritur të sigurojë pensionin invalidorë të punës, gjë që më herët s'ka qenë i mundur", tha ministri Abrashi.

Debati ka vijuar edhe pas paraqitjes së ministrit Abrashi, ku u vunë re qasje të ndryshme rreth trajtimit të kësaj çështjeje.

Rekomandimet për të dyja debatet, ndërkaq, në mungesë kuorumi nuk janë hedhur në votim.

Seanca e KuvenditSeanca e KuvenditSeanca e KuvenditSeanca e Kuvendit