Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...
E Marte, 18.04.2017
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, në mbledhjen e sotme, të udhëhequr nga Nait Hasani, kryetar, diskutoi lidhur me statutet e universiteteve publike në Kosovë.
Për të diskutuar lidhur me këtë çështje, ishin të ftuar rektorët e universiteteve publike në Kosovë.
Kryetari i komisionit, Hasani, e hapi diskutimin duke kërkuar nga rektorët që të paraqesin opinionet e tyre lidhur me ndryshimet e statuteve të universiteteve, konform ligjit ekzistues, në mënyrë që të formohet një statut i përgjithshëm në të mirë të universiteteve publike të Kosovës.
Tutje, Hasani deklaroi se Ligji për arsimin e lartë nuk pritet do të kalojë, pasi që, siç tha ai, për këtë nevojitet votat e dy të tretave edhe të deputetëve nga radhët e komuniteteve pakicë. Ai u shpreh i gatshëm që në emër të komisionit të bashkëpunojë dhe të jap kontributin për të gjitha statutet universitare.
Rektori i Universitetit " Hasan Prishtina", Marjan Demaj, kërkoi që të hartohet një statut funksional dhe i avancuar, i cili do të parashihte të gjitha problemet të cilat janë duke i hasur universitetet.
"UP-ja ka nevojë për një statut që e mundëson decentralizimin dhe që u jep fakulteteve më shumë kompetenca dhe përgjegjësi. Po ashtu, të krijohet një mundësi me e madhe financiare, si dhe ndarja e disa njësive akademike dhe avancimi i stafit akademik", theksoi rektori Demaj.
Rektorët e universiteteve nga regjionet e Kosovës, po ashtu paraqitën problematikat e tyre lidhur me statutet e universiteteve ku ata veprojnë. Nga shumica e rektorëve problem kyç u paraqit mungesa e buxheteve në universitete, varësia nga kodi i Ministrisë së Arsimit, çështja e avancimeve të stafit akademik dhe çështje të tjera.
Në fund të takimit, komisioni në ujdi më rektorët, vendosi që të formohet një grup punues, në bashkëpunim më stafin akademik dhe ndonjë ekspert të fushës, për ta rregulluar çështjen e statuteve të universiteteve të Kosovës. U vendos që brenda njëzet ditësh të hartohen statutet dhe të sillen në Komision për shqyrtim, për të vazhduar me pas në procedurat e Kuvendit.