Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit

E Marte, 18.04.2017




Kuvendi i Republikë së Kosovës vijoi punimet me vazhdimin e seancës, të drejtuar nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, i cili filloi menjëherë me votimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet dhe Propozim-rezolutës në lidhje me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, por procedura e votimit u shty për shkak të mos krijimit të kuorumit për votim.

Më tej drejtuesi i seancës kaloi në shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale. Kuvendi miratoi amendamentet nga 2 -15 të projektligjit, i cili më pas u miratua në tërësi.

Pas shqyrtimit, u miratua edhe Propozim - Programi i Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2017.

Seanca kaloi në proces votimi dhe miratimi të amendamenteve të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën përmbarimore, si dhe Projektligjit për automjete. Ndërsa lidhur me shqyrtimin e parë të Projektligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave nga pjesët veriore të Kosovës, me kërkesën e përfaqësueses së komisionit funksional, Safete Hadërgjonaj, shqyrtimi i këtij projektligji u shty për seancën tjetër.

Kuvendi gjithashtu shqyrtoi dhe miratoi Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për periudhën 2017-2021.

Duke vijuar më tej, nënkryetari Haliti ia kaloi fjalën kryetares së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Lirije Kajtazi, e cila bëri arsyetimin e refuzimit nga komisioni lidhur me Propozim-vendimin nr. 20/2017, dt. 10 mars 2017, të Avokatit të Popullit për zgjedhjen e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit. Pas diskutimeve të deputetëve, Kuvendi miratoi propozimin e Komisionit.

Lidhur me shqyrtimin e Raportit të Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë lidhur me zbatimin e Ligjit për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë, kryetari i komisionit Haxhi Shala bëri arsyetimin e raportit dhe paraqiti 11 rekomandime. Pas diskutimeve të deputetëve, Kuvendi miratoi raportin së bashku me rekomandimet.

Pas shtyrjes së shqyrtimit të Raportit të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini e Sport lidhur me Mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë në seancën e ardhshme, Kuvendi kaloi në procedurat për zgjedhjen e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media, ku asnjë kandidatët nuk mori shumicën e votave.

Nga vazhdimi i seancës plenare të KuvenditNga vazhdimi i seancës plenare të KuvenditNga vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit