Lajmet e fundit
Deputetë të Kuvendit të Kosovës po marrin pjesë në Konferencën Globale Parlamentare në Uashington DC
E Marte, 18.04.2017
Një delegacion nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në përbërje: Salih Morina, Safete Hadërgjonaj, Xhevahire Izmaku, Doruntinë Maloku, Arben Gashi dhe Fisnik Ismaili, po merr pjesë në Konferencën Globale Parlamentare që po mbahet në Uashington DC të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga data 17-18 prill 2017.
Konferenca është organizuar nga Rrjeti Parlamentar në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, ku pjesëmarrës janë deputetë nga mbi 80 shtete të botës, anëtare të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Po ashtu në Konferencë po marrin pjesë përfaqësues nga shoqëria civile, sektori privat, zyrtarë-ekspertë nga departamentet e ndryshme të Grupit të BB dhe FMN-së.
Në sesionet e zhvilluara nga panelistë të ndryshëm, u prezantuan dhe u diskutuan temat që kanë të bëjnë me: Luftimin e Pabarazisë përmes krijimit të Vendeve të Reja të Punës dhe Zhvillimit Ekonomik, Gjithpërfshirjen Institucionale dhe Rolin e Parlamenteve, që përmes funksioneve të tyre legjislative dhe mbikëqyrëse, të ndihmojnë në krijimin e politikave gjithpërfshirëse shtetërore, që shpien në rezultate më të mira ekonomike dhe sociale dhe krijimin e besimit më të madh në institucionet publike.
Po ashtu në një sesion të veçantë u diskutua për Luftimin e Korrupsionit në sektorin publik dhe privat, që paraqet një problem të madh shtetëror dhe global, që kërkon bashkëpunim të brendshëm institucional, dhe përmes përfshirjes së shoqërisë civile dhe rolit të mediave, si dhe për nevojën e bashkëpunimit ndërshtetëror në nivelin global në gjetjen e zgjidhjeve për luftimin e korrupsionit, përmes promovimit të transparencës, sundimit të ligjit dhe reformave adekuate ekonomike.
Ndër temat tjera që u diskutuan ishin: Angazhimi dhe Roli i FMN-së në shtete të individuale, Ndërmarrja e reformave në subvencionimin e energjisë dhe Ndryshimet Klimatike.
Në një sesion të veçantë, pjesëmarrësve iu drejtuan lidershipi i Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, përkatësisht znj. Christine Lagarde, Drejtoreshë Menaxhuese e FMN-së dhe Dr. Jim Yong Kim, President i Grupit të BB-së. Znj. Lagarde dhe z. Yong Kim diskutuan për angazhimin dhe rolin e këtyre dy institucioneve financiare ndërkombëtare, në vende të ndryshme të botës përmes programeve në fusha të ndryshme në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe në fuqizimin e kapaciteteve të brendshme të shteteve për fuqizimin e qeverisjes dhe për rolin e veçantë që ka parlamentit, në arritjen e qëllimeve përmes procesit legjislativ dhe mbikëqyrës ndaj institucioneve qeveritare.