Lajmet e fundit

Veseli: Potencialin e madh të popullsisë ta transferojmë në zhvillim ekonomik

E Premte, 14.04.2017




Nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot në Prishtinë është mbajtur tryeza për dividentën demografike të Kosovës, hulumtim i realizuar nga UNICEF-i.

Duke i konsideruar të dhënat e këtij raporti shumë të dobishme për institucionet e vendit, për vendimmarrësit e politikave zhvillimore dhe sipërmarrësit në sektorin privat, kryeparlamentari Veseli tha se ky raport argumenton konkretisht atë që njihet si fakt themelor, se Kosova ka një popullsi në të cilën dominojnë grup-moshat e reja.

Sfida themelore me të cilën përballet Kosova sot, sipas tij, është gjetja e rrugëve që potenciali i madh i popullsisë së re që ka, të transferohet në zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë ekonomik të vendit.

Veseli tha se ajo që është bërë deri me tani duket se lë shumë për të dëshiruar, ndërsa e konsideroi të nevojshme marrjen e masave konkrete dhe investimeve strategjike. Treguesit negativë në fushën e ekonomisë, sipas tij, vazhdojnë të dominojnë imazhin e vendit tonë.

Kryetari i Kuvendit tha se sektori publik as nuk duhet e as nuk mundet ta zëvendësojë sektorin privat, duke vlerësuar se rritja ekonomike, që gjeneron punësim të qëndrueshëm, mund të vijë vetëm nga sektori privat. Kjo, sipas tij, duhet bërë duke zhvilluar një ambient atraktiv për të gjithë ata që duan të investojnë kapitalin dhe idetë e tyre inovative në Kosovë.

"Javëve të fundit kam zhvilluar një tur të dëgjimit të qytetarëve anë e kënd Kosovës. Kam takuar qytetarë të të gjitha shtresave dhe profesioneve. Kam takuar sipërmarrës të bizneseve të ndryshme. Jam njohur me shqetësimet që ata kanë si sipërmarrës. Përveç kësaj, jam njohur edhe me një fakt që duket tejet paradoksal në shikim të parë: shumë sipërmarrës më tregonin se si kanë mungesë të punëtorëve të kualifikuar në profesione të ndryshme që kërkohen nga tregu", theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ai tha se ekziston një hendek të madh në mes të sistemit aktual të edukimit dhe nevojave të tregut.

"Kemi fuqi shumë të madhe punëtore, por shkalla e kualifikimit profesional të saj është e pakënaqshme. Hapi i parë në përballjen me këtë sfidë është edukimi. Edukimi nuk është luks intelektual, por nevojë sociale dhe domosdoshmëri ekonomike. Dituria e kualifikuar sot është faktor kryesor i zhvillimit ekonomik", theksoi kryetari Veseli, duke shtuar se nevojitet rishikim komplet i programeve që ofrojnë shkollat tona të larta, si fazë e parë në një plan investimesh për ta nxjerrë sistemin tonë edukativ nga gjendja e improvizimit dhe ngritjen e tij në nivel të konkurrencës me vendet tjera. Ai tha se Kosova duhet të orientohet në zgjerimin e rrjetit të shkollave profesionale, që aftësojnë të rinjtë në shumë profesione.

Një faktor vendimtar në këtë drejtim, kryetari i Kuvendit e konsideroi edhe heqjen e të gjitha barrierave që pengojnë përfshirjen e grave në jetën publike dhe atë biznesore.

"Ajo që na duhet është vendimmarrja adekuate dhe investimet e duhura në sektorët e duhur. Kjo është vendimmarrja që bumin demografik të vendit nga rrezik për shtetin, e shndërron në zhvillim ekonomik të tij", tha kryeparlamentari Veseli.

Nga ana tjetër, zëvendësshefi i UNICEF-it në Kosovë, James Mugaju, gjatë prezantimit të raportit tha se investimi në gjeneratën e re prosperon shtetin e Kosovës.

"Duke investuar në fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë, investoni në prosperitetin e një vendi. Investimi në kapitalin njerëzor është investimi më i mirë dhe zgjedhja politike më e zgjuar. Në Kosovë, një nga prioritetet e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2021-2021 është investimi në kapitalin njerëzor apo fuqinë punëtore", tha ndër të tjera Mugaju gjatë prezantimit të raportit.

 

Veseli: Potencialin e madh të popullsisë ta transferojmë në zhvillim ekonomik Veseli: Potencialin e madh të popullsisë ta transferojmë në zhvillim ekonomik Veseli: Potencialin e madh të popullsisë ta transferojmë në zhvillim ekonomik