Lajmet e fundit
Seancë solemne e Kuvendit, për nder të senatorit amerikan, John McCain
E Enjte, 13.04.2017
Kuvendi i Republikës së Kosovës, është mbledhur sot në një seancë solemne, për nder të senatorit amerikan, John McCain, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Në hapje të kësaj seance, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se takimi i sotëm përbën një festë të lidhjes së forte midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, një lidhje kjo e pathyeshme dhe e rrënjosur thellë në historinë e përbashkët. SHBA-ja, shtoi kryetari Veseli, zgjodhi të mbështesë Kosovën gjatë betejës së saj për pavarësi dhe ka mbetur e përkushtuar që vit pas viti të përkrahë zhvillimin dhe rritjen e shtetit të Kosovës.
Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari Veseli tha se marrëdhëniet SHBA-Kosovë janë të thella dhe kanë vijuar përgjatë qeverive të shumta të SHBA-së dhe të Kosovës.
"Kam qenë i nderuar të jem lideri i parë evropian që takoi presidentin Trump dhe jam ndjerë i përulur nga fjalët e tij në mbështetje të Kosovës. Në emër të qytetarëve të Kosovës, ju lutem i shprehni mirënjohjen time presidentit Trump dhe kolegëve tuaj në Kongres për mbështetjen e tyre të vazhdueshme", theksoi kryeparlamentari Veseli.
Duke vlerësuar lart qëndrimin e senatorit McCain në mbështetje të Kosovës dhe duke kujtuar njëkohësisht fjalët e tij në Kongresin amerikan, kryeparlamentari Veseli tha se kauza e lirisë së Kosovës ishte e drejtë dhe e domosdoshme, ndërsa veprimet e SHBA-ve të paharrueshme.
Veseli tha se Kosova gjithmonë do të jetë një simbol i një demokracie të vërtetë në rajonin e Ballkanit, simbol i përpjekjeve për liri dhe drejtësisë në Evropën Juglindore.
"Senator McCain, ju siguroj se ne mbetemi përherë mirënjohës për përpjekjet tuaja për të mbështetur aleatët e SHBA-së siç është Kosova. Ne nuk e marrim mbështetjen tuaj si të mirëqenë. Kosova do të mbetet një aleate e fortë e juaja dhe e qeverisë tuaj, dhe një mik i mirë i të gjithë qytetarëve, përgjithmonë", tha në përmbyllje të fjalës së tij, kryeparlamentari Veseli.
Senatori amerikan, John McCain, e filloi fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës me humanizmin e Nënës Terezë, duke rrëfyer histori familjare që lidhet me humanizmin e kësaj figure të madhe botërore.
Më pas, McCain kujtoi punën e tij që kishte bërë në vitet '90-ta të shekullit të kaluar me senatorin e atëhershëm, Joe Biden, për të shpëtuar popullatën shqiptare nga gjakderdhja, por edhe për të punuar për pavarësimin e saj e Kosovës. Më pas, ai foli për ndërhyrjen ushtarake dhe luftën e zhvilluar për pavarësimin e vendit tonë.
Në vazhdim të fjalimit të tij, senatori amerikan konfirmoi përkushtimin e Kongresit Amerikan, pa dallim partie, për të vazhduar mbështetjen për Kosovën dhe për të punuar bashkë me të, në shërbim të paqes.
"Përkushtimi i SHBA-ve për Evropën e plotë, të lirë dhe në paqe, mbetet i hekurt. Kosova e fortë, demokratike, shumetnike dhe e pavarur, e cila është anëtare e plotë të familjes evropiane, është thelbësor për suksesin e atij vizioni", theksoi senatori McCain.
Duke i ndalur në zhvillimet aktuale në Kosovës, senatori amerikan vlerësoi lart luftën e Kosovës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, duke shprehur keqardhje që Kosova nuk ka marrë meritat që i takojnë në këtë luftë të këmbëngultë të saj. Me këtë rast, ai përmendi parandalimin nga Policia e Kosovës të një sulmi terrorist, i planifikuar të ndodhë gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael.
Në vazhdim, McCain përmendi edhe punën që e pret Kosovën drejt anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian dhe për liberalizimin e vizave.
Ai tha se për liberalizimin e vizave është i nevojshëm ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Ndërsa, sa i përket shndërrimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës, McCain e konsideroi shumë e rëndësishme që kjo të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.
Anëtari i Kongresit Amerikan shprehu gatishmërinë e tij për bërë gjithçka të mundur për të siguruar se SHBA-të do të ofrojnë përkrahje dhe ndihmë në aspektin e sigurisë që i duhet Kosovës.
Në vazhdimin e fjalimit të tij, McCain tha se është shumë i rëndësishëm integrimi i serbëve të Kosovës në institucioneve të vendit, si dhe normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
"Shpresoj se Kosova do të vazhdojë rrugën drejt integrimit evropian. Kosova ka ende shumë punë, por në këtë punë nuk do të jeni të vetmuar. SHBA-të janë të gatshme për t'ju mbështetur", theksoi ndër të tjera në fjalën e tij, senatori republikan, John McCain.