Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Legjislacion…

E Enjte, 13.04.2017




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, kryesuar nga kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, mbajti sot dëgjim publik përkitazi me Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për trashëgiminë në Kosovë.

Fillimisht Haxhiu sqaroi se projektligji përmban 10 nene dhe se është miratuar në parim nga Komisioni dhe Kuvendi. Haxhiu paraqiti në vijim tri amendamente të propozuara nga ajo, që prekin me theks të veçantë të drejtën e gruas në pronë. Edhe deputetja Donika Kadaj - Bujupi prezantoi pesë amendamente për këtë projektligj.

Gjatë këtij dëgjimi u potencua se e drejta pronësore dhe trashëgimore në mënyrë të barabartë për të dy gjinitë është sfidë aktuale, e cila kërkon angazhim nga të gjitha palët për të arritur ndryshime substanciale të cilat do të garantonin barazinë gjinore.

Propozimet e parashtruara për komisionin që u paraqitën nga përfaqësues të institucioneve publike dhe atyre të shoqërisë civile, parashohin rishikimin dhe hartimin e strategjive për çështjet trashëgimore, duke e theksuar domosdoshmërinë për funksionalizimin e mekanizmave afirmativë të cilët do të kontribuonin në implementimin e ligjit.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile, tërhoqën vërejtje edhe sa i përket ligjeve në fuqi, duke i cilësuar si ambiguitet dhe që rezultojnë shpesh edhe diskriminuese. Kësisoj, u theksua nevoja që të amendamentohen pika të caktuara të neneve të Ligjit për trashëgiminë në Kosovë, me qëllim të avancimit dhe forcimit të rolit të gruas dhe gëzimin e të drejtave themelore të njeriut.

Pikat kyçe të cilat u shtruan për diskutim prekin çështjen e të drejtës së trashëgimisë të gruas, ku u propozuan amendamente të cilat ua mohojnë grave të drejtën për të hequr dorë nga trashëgimia në një periudhë së paku 5-vjeçare nga momenti i marrjes së vendimit nga gjykata, e drejta e bashkëshortit/es në trashëgimi në rastet e vdekjes së bashkëshortit/es edhe në rastet kur nuk kanë fëmijë, rritja e transparencës gjatë procesi të bartjes së trashëgimisë, një rol më të fuqizuar të gjyqësorit në zgjidhjen e rasteve të trashëgimisë dhe një bazë ligjore më të drejtë dhe garancë për forcimin e pozitës së gruas në Kosovë.

Në fund të gjitha palët u zotuan të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë ngushtë edhe më tutje për adresimin e problemeve dhe nevojave reale të qytetarëve sa i përket këtij ligji dhe të angazhohen në krijimin e bazës ligjore dhe mekanizmave funksionalë për implementimin e këtyre propozimeve.

 

 

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Legjislacion…