Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

E Enjte, 13.04.2017




Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, i kryesuar nga Xhevahire Izmaku, kryetare, shqyrtoi sot Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statistikat zyrtare të Republikës së Kosovës.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Isa Krasniqi, duke i arsyetuar ndryshimet e këtij ligji, bëri të ditur se është punuar në bashkëpunim me EUROSTAT-in. Krasniqi tha se EUROSTAT-i ka rekomanduar që ASK-ja të mbetet ose ne kuadër të Zyrës së Kryeministrit ose të Kuvendit të Kosovës.

"Janë dy pika të rëndësishme: e para ka të bëjë me mandatin e kryeshefit ekzekutiv të ASK-së. Sipas ligjit është 3 vjet, ndërsa rekomandimi i EUROSTAT-it është që të jetë 7 vjet. Po ashtu, rekomandim i EUROSTAT-it është që ASK-ja të mbetet në kuadër të Zyrës së Kryeministrit apo të kalojë në kuadër të Kuvendit", theksoi Krasniqi.

Ndërsa Mentor Borovci nga Zyra e Kryeministrit, tha se mandati i kryeshefit të ASK-së është i përcaktuar me Ligjin për shërbimin civil. Ky mandat, sipas tij, është i njëjtë me institucionet e tjera.

Komisioni do të vazhdojë punën në shqyrtimin e këtij projektligji në mbledhjet e radhës.

Në fund të mbledhjes së sotme, u shqyrtua ankesa e operatorit IPKO dhe u vendos që të kërkohet nga KPM-ja që t'i jepet një përgjigje këtij operatori rreth operimit të operatorëve ilegalë.

Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media