Lajmet e fundit
Nga takimi i Komisionit për Punë të Jashtme me përfaqësuesit e komisioneve parlamentare
E Mërkure, 12.04.2017
Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës, përkrahur nga KDI, mbajti sot takim koordinues me përfaqësuesit e komisioneve parlamentare, lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Takimi është kryesuar nga kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica, i cili fillimisht vuri në dukje qëllimin e takimit. Lidhur me këtë, ai vlerësoi se me qëllim të rritjes së transparencës dhe rolit mbikëqyrës të Kuvendit, komisionet parlamentare duhet të kenë një koordinim më të mirë. Duke folur për dialogun, i cili aktualisht është ndërprerë për shkak të Rezolutës së Kuvendit, nëpërmjet së cilës afirmohet qëndrimi unanim që të mos vijojë deri në lirimin e liderit të AAK-së Ramush Haradinaj, Reçica u shpreh se duhet ndërtuar një platformë unike e komisioneve lidhur me këtë proces.
Ai tha se dialogu është me interes nacional dhe qëndron mbi interesin e çdo grupi parlamentar, andaj lidhur me të duhet të artikulojmë qëndrime unike. Komisionet tha më tej ai, duhet monitoruar jo vetëm zbatimin e ligjeve, por edhe jetësimin e marrëveshjeve të nënshkruara.
Në emër të KDI-së si bashkë organizatore e takimit, foli Jeta Krasniqi.
Ajo tha se duhet fuqizuar roli monitorues i Kuvendit, dhe në vazhdën e këtyre përpjekjeve është organizuar edhe takimi i sotëm.
Duke folur për transparencën institucionale, me theks të veçantë të ekzekutivit të vendit, ajo solli të dhëna nga një sondazh të cilin e kishte realizuar KDI-ja. Sipas këtij sondazhi, njoftoi ajo, vetëm 75 % e qytetarëve të vendit janë të kënaqur me transparencën e Qeverisë lidhur me dialogun. Për këtë qëllim, vlerësoi ajo, Kuvendi duhet që nëpërmjet komisioneve të koordinohet dhe të shtojë mbikëqyrjen.
Më pas folën përfaqësuesit e komisioneve parlamentare.
Në emër të Komisionit për Legjislacion foli Albulena Haxhiu, kryetare. Sipas saj, dialogu me Serbinë nuk ka zgjidhur asnjë çështje në interes të vendit dhe si i tillë kërkoi që të ndërpritet. Me këtë rast, ajo sqaroi po ashtu se për shkak se komisioni për këtë çështje nuk ka diskutuar, në këtë takim ajo paraqiti qëndrimin tashmë të njohur të VV-së.
Këtë takim si të vonuar e vlerësoi edhe deputeti Haxhi Shala, kryetar i Komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së. Ai po ashtu tha se Qeveria nuk ka respektuar rezolutat e Kuvendit, sipas të cilave obligohet të raportojë lidhur me procesin e dialogut.
Mënyra e dialogimit është kritikuar edhe nga deputetja Flora Brovina, e cila ishte e mendimit se Serbia gjatë procesit të dialogut ka qenë dashur të kushtëzohet për krimet e kryera në Kosovë.
Muhamet Mustafa, në emër të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Nuredin Ibishi në emër të Komisionit për Siguri, Lirije Kajtazi, Komisioni për Barazi Gjinore, Njomza Emini nga Komisioni për Integrime, Safete Hadërgjonaj në emër të Komisionit për Buxhet dhe Xhavahire Izmaku në emër të Komisionit për Administratë, vlerësuan se dialogu duhet vazhduar dhe konsultat ndërmjet komisioneve duhet vijuar edhe në të ardhmen.