Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri

E Mërkure, 12.04.2017




Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Muhamet Mustafa, kryetar, ka shqyrtuar raportin e punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2016.

Gjatë prezantimit të raportit, kryesuesi bordit të kësaj agjencie, Petrit Gashi, tha se ky raport është përgatitur duke i marrë parasysh vërejtjet dhe rekomandimet e komisionit.

Drejtori Ekrem Hajdari, ndërkaq, duke shkoqur aspekte përmbajtësore të raportit, tha se gjatë periudhës raportuese, AKP-ja ka plotësuar infrastrukturën ligjore dhe atë nënligjore me 30 akte të brendshme normative, të cilat, siç bëri të ditur ai, janë aprovuar nga bordi i drejtorëve. Drejtorit Hajdari shtoi se agjencia ka vënë një dinamikë të re të valëve të shitjes të gjitha ndërmarrjet shoqërore.

"Strategjia është shumë sfiduese nëpërmjet të cilës është planifikuar që të realizohen shitjet në cikle mujore. Është aprovuar shuma prej 17,414,431 euro lidhur me shpërndarjen e mjeteve ndaj kreditorëve.

Ndërsa, pagesat e realizuara deri me 31 dhjetor 2016, janë gjithsej 15,826,886 euro. Është bërë shpërndarja e 20 % për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore, në vlerën prej 5,728,413 euro. Gjatë kësaj periudhe është rritur efikasiteti në administrimin, kontrollimin dhe monitorimin e ndërmarrjeve Shoqërore, si dhe spin-offet speciale dhe privatizimet me kushte. Janë trajtuar asetet e uzurpuara apo të shfrytëzuara pa bazë ligjore nga palët e treta. AKP-ja ka realizuar arritje të larta të inkasimit të qerasë, në vlerën prej 6,137,570 euro", theksoi, Hajdari. Po ashtu, ai potencoi edhe arritjen e bashkëpunimit me institucionet në nivel qendror dhe lokal.

Anëtarët e komisionit, nga ana e tyre, shtruan pyetje dhe paraqitën vërejtje, sugjerime dhe propozime.

Kryesuesi, Gashi dha sqarimet e tij, dhe e arsyetoi periudhën raportuese.

Në fund të takimit raporti u përkrah me rekomandime nga anëtarët e komisionit.

 

 

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri