Lajmet e fundit

Komisioni për Punë të Jashtme takoi Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Zahir Tanin

E Mërkure, 12.04.2017




Komisioni për Punë të Jashtme, i drejtuar nga Elmi Reçica, kryetar, ka zhvilluar sot një takim me Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) të OKB-së në Kosovë, Zahir Tanin, në të cilin u diskutua mbi rolin e OKB-së në Kosovë nëpërmjet misionit të saj, UNMIK-ut.

Duke spikatur figurën dhe rolin pozitiv të z. Zahir Tanin, edhe në pozitat që ka ushtruar paraprakisht, kryetari i Komisionit, Reçica, theksoi gatishmërinë e komisionit që ai drejton për të punuar me zyrën e PSSP-së, në funksion të avancimit të raporteve të Kosovës me OKB-në.

Në vazhdim, Reçica tërhoqi një paralele midis periudhës dhe rrethanave të vendosjes së misionit të OKB-së në Kosovës dhe realitetit të sotëm, tashmë kur Kosova funksionon si shtet i pavarur dhe sovran, i njohur nga më shumë se gjysma e shteteve të botës, duke theksuar nevojën e transformimit të këtij misioni në një mision politik të OKB-së në Kosovë, në mbështetje të kësaj të fundit.

Në anën tjetër, Zahir Tanin, në fjalën e tij paraqiti hollësisht punën dhe funksionet e misionit të OKB-së në Kosovë përgjatë prezencës së tij, duke theksuar rolin e këtij misioni në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës.

Ai tha se misioni i UNMIK-ut në veprimtarinë e vet ndahet në dy faza: në fazën para vitit 2008 dhe atë pas vitit 2008, kur në rrethana të reja të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, misioni është rikonfiguruar dhe përshtatur gradualisht me realitetin. Kreu i misionit të OKB-së në Kosovë tha se nga rreth 15 mijë punëtorë sa kishte ky mision në kohën e administrimit të Kosovës, tashmë ka rënë në afro 350 punëtorë, shumica prej të cilëve vendorë. Atha se buxheti i këtij misioni nuk është rritur, përkundrazi, sipas tij, në katër vitet e fundit është zvogëluar për 10 milionë euro.

Në vazhdim, anëtarë të komisionit ngritën çështje të rëndësishme, që prekin aspekte të ndryshme te funksionimit të UNMIK-ut, duke theksuar nevojën e një transformimi të mëtejshëm të rolit dhe misionit të tij, në një zyrë ndërmjetësuese mes Kosovës dhe OKB-së, me qëllim fillimin dhe lehtësimin e bisedimeve për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. U adresuan, gjithashtu, edhe pyetje lidhur me punën aktuale të misionit, zhvillimet e fundit politike në vend, siç është rasti i ndalimit të Ramush Haradinajt në Francë, në të cilat z. Tanin dha sqarimet përkatëse.

Në përmbyllje të takimit, u ritheksua gatishmëria për të vazhduar kontaktet, në funksion të qartësimit të dilemave që mund të ngriten.

 

Komisioni për Punë të Jashtme takoi Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Zahir Tanin