Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...
E Mërkure, 05.04.2017
Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, i kryesuar nga Duda Balje, kryetare e Komisionit, mbajti sot mbledhjen me ç'rast zhvilluan konsultimet lidhur me shqyrtimin e Projektligjit për mbrojtjen nga zhurma.
Në këtë mbledhje, përveç anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës, në krye me imamin Fatmir Ilazi, përfaqësuesi i Ministrisë për Mjedis, përfaqësuesi i Ambasadës Amerikane në Prishtinë deputetët e Kuvendit të Kosovës, Labinote Demaj - Murtezi, Gëzim Kelmendi, si dhe përfaqësuesit e NDI, KDI dhe INDEP.
Imami Fatmir Ilazi, në fjalën e tij tha se Bashkësia Islame e Kosovës angazhohet që në Projektligjin për mbrojtjen nga zhurma të mos ndryshoj neni 6, paragrafi 2.6, përkatësisht që të mbetet versioni i Ministrisë për mjedis dhe planifikim hapësinor. Me këtë konstatim janë pajtuar edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, znj. Murtezi dhe g. Kelmendi.
Në vazhdim, anëtarët e Komisionit u pajtuan që lidhur me këtë temë duhet sërish të diskutohet me palë të tjera të interesuara, si dhe sipas nevojës, të organizohet një debat publik, me qëllim të sqarimit të kësaj çështje dhe gjetjes të një modeli më të mirë të mundshëm lidhur me këtë projektligj.