Lajmet e fundit

Nga Takim i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim me anëtarët e kabinetit qeveritar

E Mërkure, 05.04.2017




Anëtarët e kabinetit qeveritar: Mimoza Ahmetaj, ministre e Ministrisë së Integrimeve, Dhurata Hoxha, ministre e Drejtësisë, Hykmete Bajrami, ministre e Tregtisë dhe e Industrisë dhe Blerand Stavileci ministër i Zhvillimit Ekonomik, kanë raportuar sot në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim, të kryesuar nga nënkryetari i Kuvendit, njëherësh kryetar i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim, Xhavit Haliti.

Takimi i sotëm kishte për qëllim njohjen nga afër me përmbushjen e obligimeve që dalin nga marrëveshja e MSA-së, dhe me këtë rast, ministrat e dikastereve qeveritar njoftuan për punën dhe veprimet e ndërmarra në përmbushjen e obligimeve që dalin nga marrëveshja me BE-në.

Fillimisht, fjalën e mori ministrja Mimoza Ahmetaj, e cila vuri në dukje rëndësinë e miratimit në Kuvend të Reformës së Agjendës Evropiane.

Duke folur për zbatimin në tërësi të MSA-së, ajo tha se derimetani ajo është realizuar deri në masën 55%.

Këtë nivel të ulët të zbatimit të marrëveshjes, ajo e arsyetoi me mungesën e përvojës që bartë procesi i integrimit, ndërkaq, vlerësoi se për sukses të plotë duhet konsensus edhe më i madh politik.

Lidhur me angazhimet në Ministrinë e Drejtësisë njoftoi udhëheqësja kësaj ministrie, Dhurata Hoxha. Me këtë rast ajo kujtoi se obligimet e kësaj ministrie kanë të bëjnë nga fusha e të drejtave të njeriut dhe avancimi i reformave në gjyqësor. Lidhur me këtë ajo tha se ministria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm, me të cilët synohet përmirësimi i sanksioneve penale, monitorimi elektronik i të burgosurve dhe shumë çështje të tjera të përcaktuara nga obligimet që dalin nga MSA-ja.

Lidhur me përmbushjen e detyrimeve që dalin nga MSA-ja për ministrinë e Tregtisë dhe e Industrisë njoftoi ministrja, Hykmete Bajrami. Ajo tha se kjo ministri obligohet për një sër masash, ndërsa bëri të ditur se janë duke marrë veprime konkrete për lëvizjen e lirë të mallrave, përforcimin e legjislacionit, hartimin e rregulloreve të ndryshme, mbrojtjen e tregut, dhe një mori çështjesh të tjera, përfshirë këtu edhe hartimin e Strategjisë për Zhvillimin e Sektorit Privat.

Në fund fjalën e mori Blerand Stavileci ministër i Zhvillimit Ekonomik, i cili njoftoi për gjendjen në sektorin energjetik, minierat dhe teknologjinë informative.

Ai bëri të ditur për masat që janë marrë për përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA-ja, ndërkaq, njoftoi po ashtu edhe për zhvillimet lidhur me procesin e ndërtimit të termocentralit " Kosova e Re".

Pas kësaj, ministrat u janë përgjigjur edhe pyetjeve të deputetëve, dhe në fund, të gjithë shprehën përkushtimin e tyre për përmbushjen e obligimeve ndaj MSA-së dhe realizimin në tërësi të Agjendës së Reformave Evropiane.

Nga Takim i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim me anëtarët e kabinetit qeveritar Nga Takim i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim me anëtarët e kabinetit qeveritar