Lajmet e fundit
Nga takimi i Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim Kosovë – BE me anëtaret e Projektit të Binjakëzimit
E Mërkure, 05.04.2017
Komisioni Parlamentar për Stabilizim-Asociim, priti sot anëtaret e Projektit të Binjakëzimit: z. Daniel Mondekar, ish-anëtar i Komisionit për Stabilizim Asociim BE-Kroaci dhe z. Laszlo Juhasz, shef i Sekretariatit të Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit Kombëtar të Hungarisë dhe ish-shef i Sekretariatit të Komitetit Parlamentar BE-Hungari.
Takimi është kryesuar nga Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit si dhe kryetar i këtij Komisioni, i cili në fillim të takimit mysafirëve iu uroi mirëseardhje, ndërkaq, vlerësoi se takimi i sotëm do të jetë mundësi e mirë që Komisioni të mësojë nga përvoja e vendeve nga të cilat ishin mysafirët.
Për rrugën e integrimit dhe përvojat e shtetit kroat, njoftoi z. Daniel Mondekar, ish-anëtar i Komisionit për Stabilizim Asociim BE-Kroaci.
Me këtë rast, Mondekar bëri të ditur se procesi i integrimit të Kroacisë në BE ka zgjatur me vite. Integrimi i Kosovës në BE, tha ai në vijim, është vlerësuar se është me interes nacional, andaj, fillimisht është ndërtuar konsensusi politik për të arritur këtë objektiv. Ai gjithashtu nënvizoi se, përmbushja e obligimeve që dilnin nga marrëveshja e MSA-së, ka qenë obligim i pakapërcyeshëm për shoqërinë kroate. Ai tha se bartësit e politikës e kanë kuptuar shumë seriozisht angazhimin për përmbushjen e kritereve të parapara. Duke folur për kriteret, të cilat kishin paraqitur sfidën më të madhe për shoqërinë kroate, Mondekar nënvizoi bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës, luftën kundër korrupsionit, reformimin e sistemit ligjor dhe çështje të tjera, të cilat sipas tij paraqitnin sfida të rënda.
Duke folur për vështirësitë, të cilat Kosova has në rrugën e saj të integrimeve, Mondekar vlerësoi se, për faktin që Kosova nuk është anëtare e OKB-së, angazhimet dhe koordinimet me institucionet relevante, veçanërisht me ato të faktorit ndërkombëtar, duhet të jenë më këmbëngulëse.
Për përvojat e Hungarisë gjatë këtij procesi, njoftoi Laszlo Juhasz, shef i Sekretariatit të Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, dhe ish-shef i Sekretariatit të Komitetit Parlamentar BE-Hungari.
Ai u ndal te nevoja e harmonizimit të legjislacionit me atë të BE-së dhe për këtë sugjeroi përkushtim nga legjislativi i vendit. Sipas tij, harmonizimi ligjeve duhet të arrihet në mënyrë graduale, ndërkaq, vlerësoi se konsensusi politik është i domosdoshëm.