Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së
E Marte, 04.04.2017
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga kryetari Daut Haradinaj, ka mbajtur sot tryezë pune lidhur me mbikëqyrjen e shpenzimeve financiare të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Gjatë kësaj tryeze fillimisht ka folur zv/ministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, duke përmendur me këtë rast raportin e fundit të auditorit të Përgjithshëm për këtë ministri. Përkitazi me këtë, ai përmendi faktin se nga 17 rekomandimet e dhëna nga auditori, 13 sosh janë realizuar, ndërkaq, 4 rekomandime janë në proces.
Hoxha vlerësoi se në bazë të këtij raporti është konstatuar se është shënuar një progresi i madh në MPB dhe se të gjeturat nga auditori nuk janë serioze, duke përmendur kështu se nuk është evidentuar ndonjë lëshim në prokurim apo në fushat tjera financiare.
Edhe Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, fillimisht sqaroi se raporti i auditimit për këtë ministri, për vitin 2016, është në fazën finale dhe se drafti final do të dorëzohet gjatë muajit qershor. Ndërkaq, shtoi se raportet e Auditorit të tri viteve të fundit të kësaj ministrie janë me opinion të pamodifikuar, duke sqaruar se janë me opinion pozitiv.
"Qeverisjen financiare kjo ministri e ka përmirësuar edhe tek agjensionet", tha Osmani.
Në vijim ai përmendi edhe nivelin e zbatimit të rekomandimeve të auditorit, duke theksuar se nuk janë të kënaqur në këtë pikë.
Ai vlerësoi po ashtu se trendi i realizimit të buxhetit nga kjo ministri, po shënon ngritje.
Osmani tutje foli edhe për të hyrat, investimet kapitale, prokurimin, ndërsa shqetësues, sipas tij, është fakti i mbulimit të pozitave me ushtrues detyre.
Pas një diskutimi të gjerë të anëtarëve të Komisionit: Daut Haradinaj, Rexhep Selimi, Anton Çuni e Nuredin Ibishi, lidhur me këtë çështje kanë diskutuar edhe përfaqësues të institucioneve të tjera të Kosovës dhe atyre të shoqërisë civile.
Krejtësisht në fund, Komisioni ka nxjerrë edhe disa konkluzione nga kjo tryeze.
Me këtë rast, Komisioni vlerësoi se Ministria e Punëve të Brendshme dhe agjensionet e saj, ta menaxhojnë buxhetin në mënyrë të kënaqshme si dhe të zbatohen rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm.
Po ashtu, Komisioni rekomandoi që ministritë të marrin në konsideratë rekomandimet që dalin nga Raporti i Progresit.