Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Marte, 04.04.2017
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetarja Njomza Emini, ka raportuar ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj. Me theks të veçantë, ajo foli lidhur me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, agjendën evropiane të reformave, si dhe prezantoi edhe Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (2017-2021).
Ministrja Ahmeti theksoi se pas hyrjes në fuqi të MSA-së, ministria të cilën ajo drejton, kanë bërë fillimisht një analizë të implementimit të kësaj marrëveshje, në mënyrë që, siç tha ajo, ta kenë një pasqyrë më të qartë se ku qëndrojnë në përmbushjen dhe realizimin e objektivave të tyre. Më pas ajo ka folur edhe për masat për zbatimin e MSA-së dhe kategorinë e tyre.
"Kemi realizuar sivjet edhe Programin për implementimin e kësaj marrëveshje, për periudhën 2017 -2021 dhe presim që këtë ta votojë Kuvendi dhe të fuqizohet", tha Ahmetaj, duke sqaruar në vijim edhe takimet që kanë zhvilluar në kuadër të MSA-së. Përkitazi me këtë, ajo tha se pritet që të mbahet edhe takimi i nënkomitetit për tregti, industri dhe dogana.
Ajo njoftoi Komisionin po ashtu edhe për zbatimin e agjendës evropiane të reformave, duke sqaruar se është një program pune që obligon institucionet e Kosovës ta realizojnë atë brenda periudhës një vit e gjysmë dhe se kjo, sipas saj, përmban rendin dhe ligjin, qeverisjen e mirë, arsimin, punësimin etj. Në vijim, theksoi se janë 22 kritere që duhet plotësuar.
"Elementet kyçe në kuadër të zbatimit të kësaj agjende evropiane janë miratimi i Ligjit për Parandalimin e konfliktit të interesit, miratimi i Ligjit për pagat, shërbim civil dhe administratë shtetërore, miratimi i legjislacionit për pezullimin apo largimin e zyrtarëve publik, të cilët kanë aktakuza apo janë dënuar për vepra të korrupsionit, Publikimi dhe auditimi i financave të partive politike dhe ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për financimin e subjekteve politike, si dhe miratimi i Ligjit për arsimin e lartë", tha ministrja e Integrimeve Evropiane.
Pasi foli për qasjen e Kosovës në programet e BE-së, ajo dha përgjigje në çështje të shumta që u ngritën nga anëtarë të Komisionit. Me theks të veçantë për fondet e IPA-s dhe implementimin e MSA-së.
Në vijim të këtij takimi ministrja Ahmetaj foli edhe për liberalizimin e vizave. Me këtë rast ajo tha se çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, mbetet kriteri i vetëm të cilin duhet ta plotësojë Kosova sa i përket liberalizimit të vizave. Ndërkaq, si një kriter i cili është konsideruar i plotësuar, ajo përmendi çështjen e luftimit të krimit dhe korrupsionit.
Tutje, Komisioni më shumicë votash ka përkrahur Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (PKZMSA_ 2017-2021), pas prezantimit të ministres së Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj.
Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (PKZMSA) 2017-2021, procedohet për miratim në seancë plenare.