Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...
E Marte, 04.04.2017
Shqyrtimi i propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të Universitetit "Ukshin Hoti" në Prizren, ishte temë debati sot, në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport.
Në mbledhjen e komisionit, për të diskutuar lidhur me statutin e këtij universiteti i ftuar ishte rektori, Ramë Vataj.
Gjatë fjalës së tij, rektori Vataj e vlerësoi të domosdoshëm ndryshim-plotësimin e statutit të universitetit të cilin ai drejton, duke bërë të ditur gjithashtu, se në mbledhjen e rektoreve ka paraqitur kërkesë për ndryshim të ligjit dhe ndryshim të këtij statuti.
"Është dashur që patjetër të bëhet ndryshimi i statutit, meqenëse Universiteti i Prizrenit i ka mbi 15 mijë studentë dhe është një fakultet më shumë. Kërkohet po ashtu, ndryshimi i përfaqësimit në senat dhe në këshill drejtues", theksoi Vataj. Ai e konsideroi të domosdoshme nevojën e standardizimit të kritereve të këtij universiteti lidhur me avancimin e stafit, me kriteret e universiteteve të tjera publike. Vataj, komisionit ia paraqiti 18 nene për ndryshim-plotësimin e statutit të Universitetit "Ukshin Hoti" në Prizren.
Anëtarët e komisionit u dakorduan që në mbledhjen e radhës të shqyrtohen 18 nenet e propozuara për ndryshim - plotësim të këtij statuti. Komisioni, në fund të takimit propozoi që në një nga takimet në vijim të ftohen të gjithë rektorët e universiteteve, si dhe drejtori i Agjencisë për Akreditim, për të diskutuar lidhur me të gjitha statutet e universiteteve publike në Kosovë