Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme
E Marte, 04.04.2017
Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Elmi Reçica, kryetar, diskutoi për një varg çështjesh nga agjenda e punës së deritashme të Komisionit.
Gjatë kësaj mbledhjeje, fillimisht është miratuar raporti nga Samiti i komisioneve parlamentare për punë të jashtme, i mbajtur kohë më parë në Prishtinë, si dhe informata nga vizita zyrtare në Republikën e Shqipërisë.
Më pas është diskutuar për bashkëpunimin me Asamblenë Parlamentare të NATO-s, përkatësisht, për takimin e radhës i cili do të mbahet me datë 26-27 qershor. Lidhur me këtë, komisioni mori vendim që në këtë takim të marrin pjesë kryetari i Komisionit, Reçica dhe deputeti, Zafir Berisha.
Në vijim të mbledhjes, deputetët: Pal Lekaj dhe Blerta Deliu, informuan lidhur me vizitën e realizuar në Gjermani.
Me këtë rast, deputetët Lekaj dhe Deliu, vlerësuan se realizimi i takimeve me komisionet homologe nga vende të ndryshme, është forma më e mirë e përmbushjes së agjendës dhe objektivave të Komisionit.
Në fund të mbledhjes, komisioni foli për çështjet që do të diskutohen gjatë takimit me ndihmës sekretarin për Evropë nga MPJ-ja e Pakistanit, z. Zaheer Janjua, si dhe sekretarin e parë nga Ambasada e Pakistanit në Ankara z. Ummer Siddique, i cili është paraparë të ndodhë të enjten.