Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Buxhet
E Mërkure, 21.11.2018
Komisioni për Buxhet dhe Financa, kryesuar nga Lumir Abdixhiku, kryetar, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën është shqyrtuar Projektligji mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019.
Para anëtareve të komisionit, këtë projektligj e paraqiti dhe arsyetoi ministri i Ministrisë së Financave, Bedri Hamza, i cili dha shpjegimet e nevojshme lidhur me projektligjin, duke vënë në pah ndikimin që do të ketë ai në zhvillimin ekonomik.
Sipas tij, Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2019, do të sigurojë një rritje ekonomike prej 4.7%, ndërkaq, bëri të ditur se dokumentet në të cilat është bazuar Ministria gjatë hartimit të tij, janë: programi i Qeverisë, (i cili mbështetet në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik), Programin për Reforma Ekonomike dhe Strategjinë sektoriale dhe kornizën afatmesme të shpenzimeve.
Me këtë rast, ministri Hamza po ashtu tha se, në Projektligjin për buxhetin e vitit të ardhshëm është paraparë që shpenzimet buxhetore të jenë 2 miliardë e 365 milionë euro, dhe shtoi më pas se, ndonëse është buxhet më i lartë se ai vitit të kaluar, megjithatë, nuk i adreson sfidat ekonomike kryesore të vendit. Ai gjatë paraqitjes së tij, i siguroi anëtarët e komisionit se Projektligji për buxhetin e vitit të ardhshëm siguron stabilitet të plotë makro financiar, dhe po ashtu, stabilizon borxhin publik.
Pas fjalës së ministrit, anëtarët e komisionit paraqitën vërejtjet dhe rekomandimet e veta lidhur me Projektligjin, duke vënë në spikamë çështje, për të cilat u tha se do të shqyrtohen gjatë procedurave të mëtejme, të shqyrtimit të këtij projektligji.
Pas kësaj Projektligji është hedhur në votim dhe me shumicë votash është përkrahur në parim nga anëtarët e komisionit.
Në vijim të kësaj mbledhjeje, komisioni shqyrtoi dhe përkrahu po ashtu edhe Projektligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale me amendamentet e Komisionit funksional për Punët të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit të Sportit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Sport dhe amendamenteve të Komisionit funksional për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.05/L-090 për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, dhe amendamenteve të Komisionit funksional për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.05/L-075 për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, dhe amendamenteve të Komisionit funksional për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi.