Lajmet e fundit

U mbajt takim me rastin e shënimit të Ditës së Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve

E Hënë, 19.11.2018




Në kuadër të shënimit të Ditës së Konventës Ndërkombëtare të Fëmijëve, sot në Kuvendin e Kosovës u mbajt takim i përbashkët me kryeparlamentarin Kadri Veseli, ministrat e linjave përkatëse, të shoqërisë civile dhe përfaqësues të fëmijëve për të drejtat e tyre etj.

Në këtë aktivitet, folës të ndryshëm nga organizatat përfaqësuese të të drejtave të fëmijëve kërkuan nga krerët e institucioneve përmirësimin e kushteve në arsim, shëndetësi dhe në sigurinë e tyre.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, me rastin e shënimit të kësaj dite, tha se Kosova është e përkushtuar që të krijojë perspektivë për gjeneratat e reja, ngase, siç tha ai, ajo ka potencial të jashtëzakonshëm, duke përfshirë këtu potencialin njerëzor.

"Kosova duhet të krijojë perspektivë për këtë gjeneratë. Ne kemi nevojë për një rini të përgatitur. Përveç dashurisë tradicionale që ushqejmë ndaj fëmijëve, si dhe përkushtimit institucional, ne duhet të kemi edhe përkushtimin strategjik", theksoi kryeparlamentari Veseli.

Përfaqësuesja e zyrës së BE-së, Natalya Apostolova, tha se ka takuar fëmijët e shkollës "Ismail Qemaili" në Prishtinë dhe ishte ndjerë e befasuar me të folurit e rrjedhshëm të gjuhës angleze të tyre, si dhe pyetjet e bëra lidhur me të ardhmen e tyre. Po ashtu, Apostolova, bëri të ditur për ndërtimin e tri çerdheve për fëmijë në Prishtine, Zveçan dhe Ferizaj. Ajo, vuri në pah përkushtimin e BE-së lidhur me përkrahjen dhe mbështetjen e pakursyer lidhur me respektimin e te drejtave të fëmijëve.

Kryetarja e Grupit te Grave Deputete, Mexhide Mjaku-Topalli, foli për rëndësinë dhe detyrat që ka shteti, kundrejt të drejtave të fëmijëve. Ajo tha se është detyrë e institucioneve për krijimin e një mjedisi sa më të sigurt e të lirë për të gjithë, në mënyrë që fëmijët të zhvillohen në një shoqëri dhe ambient sa më të shëndoshë.

Ministri i Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, foli për përkushtimin dhe angazhimin e përbashkët ndërinstitucional që është duke bërë ministria që drejton ai, lidhur me krijimin e një ambienti sa më të sigurt dhe edukativ në arsim.

"Është një sfidë për gjithë qeverinë që t'i dalim mbanë në mënyrë që fëmijët të mos ankohen për kushtet dhe edukimin e tyre. Kemi bërë përpjekje për edukim të fëmijëve pa dallime", tha Bytyqi.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, prezantoi punët dhe aktivitete që kjo ministri ka ndërmarrë, lidhur me shëndetin e fëmijëve. Ismaili deklaroi se Kosova bën pjesë me 95% të fëmijëve të vaksinuar e cila krijon mundësi që të ngritet për të larguar sëmundjet ngjitëse.

Po ashtu ai, bëri të ditur se ditët e para të rritjes së fëmijëve konsiderohen si faza e parë e mirëqenies së tyre. Përkitazi me këtë, ai tha se MSh-ja ka arritur të zhvillojë vizita të nëna dhe fëmijët.

"Ky intervenim zhvillohet në 15 komuna dhe gjatë javës së ardhshme do të përfshihen edhe dy komuna tjera. Ndërkaq, ajo çka pritet të punojmë ende është promovimi i informatave për shëndetin", tha Ismajli.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, tha se Ligji për shërbime sociale dhe familjare rregullon çështje që kanë të bëjnë me ndihmën e familjeve në gjendje sociale. Reçica informoi edhe për Projektligjin e lehonisë, në të cilin është paraparë që lehonat e papunësuara të paguhen për 6 muaj. Po ashtu, ministri bëri të ditur se me Ligjin për shërbime sociale dhe familjare është caktuar përgjegjësia për sektorin privat dhe atë shtetëror.

Ministri i Punëve Brendshme, Ekrem Mustafa, deklaroi se ministria që drejton ai është e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, e veçanërisht, siç u shpreh ai, për fëmijët e riatdhesuar.

Abelard Tahiri, Ministër i Drejtësisë, theksoi se, me Kodin e drejtësisë për të mitur do të mbrohen të drejtat e fëmijëve.

"Ajo çka kemi arritur të bëjmë si ministri, mund ta konfirmoj para jush se kemi hartuar Kodin për drejtësi për të mitur. Ky kod promovon dhe mbron të drejtat e fëmijëve", tha Tahiri.

Në vazhdim, fjalën e morën edhe përfaqësues tjerë të shoqërisë civile, që përfaqësojnë të drejtat e fëmijëve, UNHCR,vSave the Children, Syri Vizion etj.

Fëmijët, ndërkaq, shtruan pyetje dhe debatuan me krerët shtetërorë lidhur me të drejtat e tyre.

 

U mbajt takim me rastin e shënimit të Ditës së Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e FëmijëveU mbajt takim me rastin e shënimit të Ditës së Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e FëmijëveU mbajt takim me rastin e shënimit të Ditës së Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e FëmijëveU mbajt takim me rastin e shënimit të Ditës së Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e FëmijëveU mbajt takim me rastin e shënimit të Ditës së Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve