Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...

E Hënë, 05.11.2018




Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, mbajti mbledhjen e radhës, udhëhequr nga Ismajl Kurteshi, kryetar, në të cilën raportoi Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

Ministri Gashi prezantoi rezultatet e punës së ministrisë që ai drejton, gjatë periudhës janar - tetor 2018.

Gjatë prezantimit të tij, Gashi vuri në pah krijimin e një mjedisi mbështetës institucional për zhvillimin bashkëkohor të fushëveprimtarisë së këtij institucioni, duke e promovuar identitetin kulturor, sportiv dhe rininë e Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Në fushën e Kulturës, sipas Gashit, janë realizuar këto plane prioritare: premiera dhe repriza të shfaqjeve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Baletit Kombëtar, mbajtja e koncerteve artistike të Filarmonisë, rritja e buxhetit për Qendrën Kinematografike të Kosovës për mbështetjen e projekteve filmike.

Gjatë prezantimit, ai foli për aprovimin e Rregullores për Pagat dhe Gradat e Krijueseve, Performuesve dhe Punonjësve të Trashëgimisë Kulturore, të cilëve u janë rritur pagat prej 50 %. Tutje, ministri Gashi prezantoi edhe rezultatet dhe të arriturat në fushën e Trashëgimisë Kulturore dhe të rinisë, siç është themelimi i Inspektoratit për Trashëgiminë Kulturore, si dhe miratimi i Listës për Trashëgimi Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme.

Përkitazi më këtë u prezantuan edhe aktivitet në fushën e rinisë, siç janë: punësimi i 200 të rinjve për praktikë në punë nga i gjithë territori i Republikës së Kosovës, krijimi i Fondit Rinor, mbështetja financiare për ndërtimin e Qendrës së edukimit joformal për rini me lokacion në fshatin Pjetërshan në Komunën e Gjakovës etj.

Ndërkaq, në fushën e sportit, ministri tha se është mbështetur financiarisht Komiteti Olimpik i Kosovës, Federatat Sportive, si dhe organizatat e tjera sportive.

"E arritur e veçantë është edhe themelimi Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative", tha Gashi.

Anëtarët e komisionit, nga ana e tyre, shtruan një varg problematikash në fushat që mbulon kjo ministri, si dhe adresuan pyetje lidhur me punën e MKRS-së gjatë këtij viti.

Ministri u përgjigj në pyetjet e shtruara nga deputetët, duke dhënë sqarimet e nevojshme.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...