Vende të lira pune

FTESA / THIRRJA PUBLIKE

Dokumenti i Aplikimit

Në bazë të vendimit të Komisionit të posaçëm për shqyrtimin e nominimeve të kandidatëve për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, përsëritet

             FTESA / THIRRJA PUBLIKE

                  për

PARAQITJEN E NOMINIMEVE PËR GJYQTARË NË GJYKATËN KUSHTETUESE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e nominimeve të kandidatëve për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, në pajtim me nenet 6 dhe 7 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (nr. 2008/03-L-121), fton Kuvendin e Republikës së Kosovës, institucionet gjyqësore, fakultetet juridike, Odën e Avokatëve, Shoqatën e Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve, partitë politike, personat e tjerë relevantë juridikë dhe individët që të propozojnë kandidatë për zgjedhjen e 2 (dy) gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Po ashtu një person mund të propozojë veten për kandidat.

Komisioni në mënyrë të veçantë do ta ketë në konsideratë përmbushjen e parimit për barazi gjinore për kandidim, sipas kushteve të parapara me Kushtetutë dhe me ligj.

Kualifikimet:

Kandidatët për pozitën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, juristë të shquar me reputacion të shkëlqyeshëm profesional, me jo më pak se 10 (dhjetë) vjet përvojë pune profesionale, veçanërisht në fushën e së drejtës publike dhe kushtetuese të dëshmuar, mes tjerash, me punë profesionale si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, shërbyes civilë ose mësimdhënës universitarë dhe me punë të tjera të rëndësishme të natyrës juridike, individë me reputacion të shkëlqyeshëm moral, të cilët kanë aftësi të plotë veprimi dhe të cilët nuk janë dënuar për vepër penale.

 


Të gjitha propozimeve dhe aplikacioneve për nominime duhet t'u bashkëngjiten dokumentet si vijon:

 

a) Formulari për nominimin e kandidatit,
b) Formulari i deklarimit të të nominuarit,
c) Curriculum Vitae (CV) ("autobiografia"),
d) Letra e motivimit nga organizata ose institucioni propozues,
e) Dëshmia se është qytetar i Kosovës,
f) Dëshmia për përgatitjen shkollore dhe profesionale.

Nominimet dhe aplikacionet duhet të dërgohen jo më vonë se deri më 25.04.2012, deri në orën 16:00.

Nominimet dhe aplikacionet dërgohen personalisht në adresën:
Ndërtesa e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Prishtinë, Rr. "Nëna Terezë" p. n., Zyra e Personelit, Zyra N-217.

Aplikacionet mund të merren në këto vende:


Forma e shtypur: në shërbimin përkatës të administratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, ose forma elektronike: në faqen e internetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës: www.assembly-kosova.org

Njoftime të tjera plotësuese mund të merren çdo ditë pune deri në orën 16:00, në numrat e telefonit: (0) 38 211-281, 211-648, 211-182 dhe (0) 44 147-264.