Vende të lira pune

Konkurs për plotësimin e pozitave

Dokumenti i Aplikimit

Duke u bazuar në Ligjin për shërbimin civil të Republikës së Kosovës (Ligjin nr. 03/L-149), Rregulloren 02/2010 për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil dhe në pajtim me Rregullat statusore për shërbyesit civilë të Administratës së Kuvendit të Kosovës, Administrata e Kuvendit shpall:

                                                    KONKURS

                                    Për plotësimin e pozitave si vijon:

Pozita: Drejtor i Departamentit të Prokurimit DP/01-11
Shkalla: A - 10
Numri i pozitave: 1 (një)
Angazhimi: Me kohë të pacaktuar, me punë provuese në kohëzgjatje prej 12 muajsh
Mbikëqyrësi: Sekretari i Kuvendit

Detyrat dhe përgjegjësitë
Nën mbikëqyrjen e sekretarit, drejtori i Departamentit është përgjegjës për:
• organizimin, udhëheqjen dhe mbikëqyrjen e punëve në Departamentin e Prokurimit;
• zhvillimin e të gjitha aktiviteteve të prokurimit, në përputhje të plotë me Ligjin për prokurimin dhe me rregullat financiare të aplikueshme në Kosovë;
• përkujdesjen e planifikimit dhe të zbatimit të kërkesave për prokurim, si dhe për dhënien e këshillave të nevojshme sipas kërkesave që paraqiten;
• përcjelljen, kontrollimin dhe zbatimin e përpiktë dhe unik të procedurave ligjore të prokurimit;
• pjesëmarrjen dhe mbikëqyrjen e punës së Komisionit për hapjen e ofertave dhe të Komisionit për vlerësimin e ofertave;
• nënshkrimin e procesverbaleve të punës së komisioneve;
• nënshkrimin e kontratave të prokurimit;
• organizimin e punëve dhe ndarjen e detyrave me zyrtarët e prokurimit;
• koordinimin e aktiviteteve të prokurimit me Agjencinë e Prokurimit Publik dhe me Këshillin për Rregullimin e Prokurimit Publik;
• hartimin e propozimplanit vjetor të prokurimeve, sipas kërkesave të njësive organizative;
• mbikëqyrjen e regjistrimit dhe të administrimit të dosjeve të prokurimit në librin e regjistrave nga inicimi deri te lidhja e kontratave, si dhe për futjen e tyre në bazën e të dhënave elektronike;
• ruajtjen e konfidencës së çdo informacioni për operatorët ekonomikë;
• koordinimin e aktiviteteve me Divizionin e Shërbimeve Teknike;
• kryerjen e punëve të tjera nga fushëveprimi i Divizionit.

Kualifikimi dhe përvoja:
- Diplomë fakulteti në lëmin e ekonomisë, të inxhinierisë dhe të drejtësisë, të prokurimit ose
master nga këto fusha;
- Licencim në lëmin e prokurimit, në pajtim me ligjin;
- Përvojë profesionale, së paku 4 vjet, në lëmin e prokurimit publik, prej të cilave së paku 2
vjet në pozitë udhëheqëse.

Shkathtësitë:
- Shkathtësi të shkëlqyeshme të komunikimit me shkrim dhe me gojë në gjuhët zyrtare;
- Shkathtësi për zhvillim të shpejtë të aktiviteteve të prokurimit;
- Aftësi për të punuar në baza politike tërësisht neutrale dhe të paanshme;
- Integritet të lartë personal dhe profesional;
- Njohuri të mira pune me programet kompjuterike;
- Njohja e gjuhës angleze është përparësi.

Pozita: Zyrtar i lartë i personelit ( ZP/02-11)
Shkalla: C - 8.5
Numri i pozitave: 1 (një)
Angazhimi: Me kohë të pacaktuar, me punë provuese në kohëzgjatje prej 12 muajsh
Mbikëqyrës: Udhëheqësi i Zyrës

Detyrat dhe përgjegjësitë

Nën mbikëqyrjen e udhëheqësit të Zyrës, zyrtar i lartë i personelit, është përgjegjës për:
• pranimin dhe administrimin e nëpunësve të Administratës së Kuvendit,
• përkujdesje gjatë rekrutimit për përfaqësim të pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve,
• vlerësimin e aplikantëve për nëpunësit e Administratës së Kuvendit sipas përshkrimit të vendit të punës,
• këshillimin dhe informimin e stafit për zbatimin e rregullave të punës për personelin, të rregulloreve, të procedurave dhe të strategjisë së punës,
• përkujdesjen e vazhdimit me kohë të kontratave, avancimet, jep vlerësimin periodik për kryerjen e punëve të Administratës së Kuvendit,
• shqyrtimin e kërkesave për pushime vjetore, pushime mjekësore, pushime të lehonisë dhe të pushimeve pa pagesë,
• ofrimin e informatave të reja lidhur me lëvizjen e stafit dhe për çështje të tjera të nëpunësit të Administratës,
• kryerjen edhe të punëve të tjera nga fushëveprimi i Zyrës.

Kualifikimi dhe përvoja:
- Diplomë fakulteti në lëmin e drejtësisë - jurist i diplomuar / master i drejtësisë,
- Përvojë profesionale së paku 3 vjet në hartim të legjislacionit, këshillave juridike,
- përvojë në punët profesionale për menaxhimin e kuadrove.

Shkathtësitë:
- Shkathtësi të shkëlqyeshme të komunikimit me shkrim dhe me gojë në gjuhët zyrtare, duke përfshirë aftësi të shkëlqyeshme të përpilimit të dokumenteve të ndryshme.
- aftësi për të hartuar dokumente ligjore, në mënyre të logjikshme, të qartë dhe koncize,
- nivel të lartë personal dhe profesional të integritetit,
- shkathtësi të shkëlqyeshme për diskutime dhe komunikime.
- aftësi për të punuar në baza politike tërësisht neutrale dhe të paanshme.
- njohuri të mira pune me programet kompjuterike,
- përparësi ka njohja e gjuhës angleze.

Titulli: Zyrtar i Lartë për Legjislacion (DSL-02/11)
Shkalla: C - 8.5
Numri i pozitave: 1 (një)
Angazhimi: Me kohë të pacaktuar, me punë provuese në kohëzgjatje prej 12 muajsh
Mbikëqyrësi: Udhëheqësi i Divizionit

Detyrat dhe Përgjegjësitë:
Nën mbikëqyrjen e udhëheqësit të divizionit, zyrtari i lartë për legjislacion është përgjegjës për:
• hartimin e raportit preliminar për përafrimin e legjislacionit me "Acquis communautaire" dhe me standardet ndërkombëtare të aplikueshme në Kosovë, për gjitha projektligjet e propozuara, si dhe amendamentet e parashtruara nga komisionet parlamentare për shqyrtim në Kuvend,
• përgatitjen e raportit preliminar për projektligj, në bashkëpunimin të ngushtë me koordinatorin e njësisë për mbështetje të Komisionit Funksional,
• ofrimin e mbështetjes për hartim të legjislacionit dhe për hartimin e amendamenteve përmes rekomandimeve të dhëna në raportin preliminar,
• zhvillimin e bashkëveprimeve me Zyrën ligjore të Qeverisë me qëllim që të përmirësohet cilësia e projektligjeve të parashtruara,
• pjesëmarrjen në mbledhjet e komisioneve për të ofruar këshilla ligjore lidhur me raportin preliminar ose amendamentet e propozuara;
• sigurimin e saktësisë së harmonizimit të tekstit final të ligjit, duke përfshire standardizimin formalo-juridik dhe gjuhësor dhe për përfshirjen e të gjitha amendamenteve që miratohen në seancë plenare si dhe siguron/kontrollon që teksti i ligjit të jetë i formatizuar në të tri gjuhët;
• koordinimin e partnerëve në mbështetje të Kuvendit, koordinimin e Planit të Veprimit për Partneritet Evropian, bashkëpunimin me organizatat vendore dhe ndërkombëtare në procesin e integrimeve evropiane, bashkëpunimin me Agjencinë për Zhvillim, Koordinim dhe Integrim Evropian,
• ofrimin e mbështetjes në përcjelljen e proceseve të integrimeve evropiane,
• ofrimin e opinioneve dhe analizave juridike me kërkesë të organeve të Kuvendit,
• kryerjen e punëve të tjera lidhur me fushëveprimin e divizionit.


Kualifikimi dhe përvoja:
- Diplomë fakulteti në lëmin e drejtësisë - jurist i diplomuar / master i drejtësisë;
- Përvojë profesionale, së paku 3 vjet në punët legjislative në institucione me nivel dhe përgjegjësi të lartë, duke përfshirë dhënien e ndihmës dhe të këshillave juridike,
- eksperiencë në punët ligjore dhe të procedurave parlamentare.

Shkathtësitë:
- Shkathtësi të shkëlqyeshme të komunikimit me shkrim dhe me gojë në gjuhët zyrtare, duke përfshirë aftësi të shkëlqyeshme të përpilimit të dokumenteve të ndryshme.
- aftësi për të hartuar dokumente ligjore, në mënyre të logjikshme, të qartë dhe koncize,
- shkathtësi të shkëlqyeshme për diskutime dhe komunikime.
- aftësi për të punuar në baza politike tërësisht neutrale dhe të paanshme.
- njohuri të mira pune me programet kompjuterike,
- njohja e gjuhës angleze dhe gjuhëve të tjera është e domosdoshme.


Titulli: Zyrtar i lartë ligjor (Ref :DSL/01-11)
Shkalla: C - 8
Numri i pozitave: 1 (një)
Angazhimi: Me kohë të pacaktuar, me punë provuese në kohëzgjatje prej 12 muajsh
Mbikëqyrësi: Udhëheqësi i Divizionit

Detyrat dhe përgjegjësitë:

Nën mbikëqyrjen e udhëheqësit të Divizionit, zyrtari i lartë ligjor është përgjegjës
për:
• rishikimin dhe analizimin formalo-juridik të projektligjit të parashtruar;
• hartimin e raportit preliminar lidhur me standardizimin juridik nga aspekti i teknikës juridike, i terminologjisë dhe i metodologjisë unike për të gjitha projektligjet, që i propozohen për shqyrtim dhe për miratim në Kuvend;
• identifikimin e shpërputhjeve gjuhësore dhe për përfshirjen e tyre në raportin preliminar lidhur me standardizimin gjuhësor të tekstit në gjuhën shqipe të projektligjit të propozuar për shqyrtim dhe për miratim në Kuvend;
• harmonizimin e tekstit final të ligjit, duke e bërë standardizimin formalo-juridik dhe gjuhësor, i ndërmerr të gjitha veprimet për përfshirjen e të gjitha amendamenteve, që miratohen në seancë plenare, si dhe siguron/kontrollon që teksti i ligjit të jetë i formatizuar ne të tri gjuhët;
• ofrimin e mbështetjes për hartim të legjislacionit dhe për hartimin e amendamenteve me rekomandime të dhëna në raportin preliminar;
• bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me përkthyesit shqip-serbisht-anglisht dhe për aktivitetet e tyre për standardizim juridik dhe gjuhësor të legjislacionit të propozuar;
• kryen edhe punë të tjera lidhur me fushëveprimin e Divizionit.


Kualifikimi dhe përvoja:
- diplomë fakulteti në lëmin e drejtësisë - jurist i diplomuar /master i drejtësisë;
- përvojë profesionale, së paku 3 vjet në punët legjislative në institucione me nivel dhe me përgjegjësi të lartë, duke i përfshirë dhënien e ndihmës dhe të këshillave juridike;
- eksperiencë në punët ligjore dhe të procedurave parlamentare.


Shkathtësitë:
- Shkathtësi të shkëlqyeshme të komunikimit me shkrim dhe me gojë në gjuhët zyrtare, duke përfshirë aftësi të shkëlqyeshme të përpilimit të dokumenteve të ndryshme;
- aftësi për të hartuar dokumente ligjore, në mënyre të logjikshme, të qartë dhe koncize;
- shkathtësi të shkëlqyeshme për diskutim dhe komunikim;
- aftësi për të punuar në baza politike tërësisht neutrale dhe të paanshme;
- njohuri të mira pune me programet kompjuterike;
- përparësi ka njohja e gjuhës angleze dhe e gjuhëve të tjera.

Pozita: Zyrtar i fushës - për ekonomi ( DMKP-01/11 )
Shkalla: D -7
Numri i kryeseve: 1(një)
Angazhimi: Me kohë të pacaktuar, me punë provuese në kohëzgjatje prej 12 muajsh
Mbikëqyrësi: Koordinatori i komisionit

Detyrat dhe përgjegjësitë
Nën mbikëqyrjen e Koordinatorit të komisionit, zyrtari i fushës është përgjegjës për:
• të shërbyer si zyrtar i fushës/ lëmisë së caktuar në mbështetje të komisionit,
• ofrimin e mbështetjes në dhënien e këshillave procedurale dhe të tjera, gojore dhe me shkrim për koordinatorin e komisionit,
• të ndihmuar koordinatorin në këshillimin dhe asistimin e drejtpërdrejtë për kryetarin/kryesuesin dhe anëtarët e komisionit, në hartimin e projektligjit dhe amendamenteve në projektligj,
• përgatitjen e draftit të raportit preliminar për projektligj, në bashkëpunim me divizionin për standardizim dhe harmonizim ligjor,
• ofrimin e mbështetjes në përpilim dhe shtypjen e ftesave, raporteve, procesverbaleve, dokumenteve informative dhe shkresave të komisioneve,
• krijimin dhe mirëmbajtjen e dosjeve, listave të kontaktit dhe regjistrave të komisioneve,
• pranimin dhe kontrollimin e korrespondencës dhe i bashkëngjit kësaj informacionin e nevojshëm përkatës,
• kryerjen edhe të punëve të tjera lidhur me fushëveprimin e komisionit


Kualifikimi dhe përvoja:
- Diplomë fakulteti në lëmin e ekonomisë, ekonomist i diplomuar /master i ekonomisë
- Përvojë profesionale në legjislacionin e fushës ne administratën shtetërore së paku 2 vjet, me nivel dhe përgjegjësi të lartë, duke përfshirë dhënien e ndihmës dhe të këshillave juridike, eksperiencë në punët ligjore dhe të procedurave parlamentare.

Shkathtësitë:
- Shkathtësi të shkëlqyeshme të komunikimit me shkrim dhe me gojë në gjuhët zyrtare, duke përfshirë aftësi të shkëlqyeshme të përpilimit të dokumenteve të ndryshme.
- aftësi për të hartuar dokumente ligjore, në mënyre të logjikshme, të qartë dhe koncize,
- shkathtësi të shkëlqyeshme për diskutime dhe komunikime.
- aftësi për të punuar në baza politike tërësisht neutrale dhe të paanshme.
- njohuri të mira pune me programet kompjuterike,
- përparësi ka njohja e gjuhës angleze.


INFORMATË E PËRGJITHSHME PËR TË GJITHË KANDIDATËT

Administrata e Kuvendit ofron mundësi të barabarta punësimi dhe i mirëpret kërkesat e pjesëtarëve të komuniteteve jo shumicë dhe të femrave. Politika e drejtë e punësimit të të gjitha komuniteteve të Kosovës, është zbatuar në strukturën e kuadrove të Administratës së Kuvendit.
Kandidatët e përzgjedhur në listën e ngushtë do t'u nënshtrohen testimit dhe intervistimit.
Do të kontaktohen vetëm kandidatët e përzgjedhur në listën e ngushtë.

PROCEDURA E PARAQITJES

Formulari për konkurrim mund të nxirret nga webfaqja e Kuvendit (htpp://www.assembly-kosova.org), ose mund të merret në recepcionin e ndërtesës së Kuvendit në Prishtinë (Rr. "Nëna Terezë ", p. n.). Formulari zyrtar i konkurrimit duhet të dorëzohet së bashku me dëshminë për kualifikimin shkollor, specializimin, kurset e ndjekura, përvojën e punës dhe dy referenca. Përdorimi i formularit të gabueshëm dhe të pakompletuar me të dhënat e kërkuara, si dhe me të dhëna të paraqitura me vonesë, do të konsiderohet i pavlefshëm.
Kërkesa mund të dorëzohet në recepcionin e ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës në Prishtinë (Rruga ``Nëna Terezë`` p. n.), ose me postë, si dhe në Zyrën e Personelit nr .N -217, kati II.
Për informata shtesë mund të telefononi në telefonat: 038 200 10490 dhe 038 200 10493.
Afati për konkurrim është prej 25.10.2011, deri më 08.11.2011, deri në orën 16:00.
.