Vende të lira pune

Drejtor i Administratës, (AK/01/09)

Dokumenti i Aplikimit

Në bazë të Urdhëresës administrative 2007/2 për zbatimin e Rregullores 2001/36 për shërbimin civil të Kosovës, dhe në pajtim me Rregullat statusore për shërbyesit civilë të administratës së Kuvendit, në kuadër të rekrutimit të stafit, administrata e Kuvendit shpall:

                            KONKURS

Për plotësimin e vendit të punës:

1. Drejtor i Administratës , (AK/01/09)

• Numri i pozitave: 1 (një)
• Angazhimi: I përhershëm, me punë provuese në kohëzgjatje prej 12 muajsh
• Shkalla: A / 10

Detyrat dhe përgjegjësitë:

Drejtori i administratës drejton Departamentin e Administratës së Kuvendit në përputhje me parimet e përcaktuara me ligj, rregullore dhe me akte të tjera të brendshme. Drejtori i Administratës:
• Kujdeset për funksionimin e Administratës së Kuvendit;
• Mbikëqyr dhe koordinon punën e Zyrës së Personelit, të Divizionit për Buxhet dhe Pagesa, të Divizionit të Teknologjisë Informatike dhe Komunikimit, të Divizionit të Shërbimeve Teknike, dhe Seksionit të Shërbimeve Gjuhësore;
• Kryen edhe punë të tjera nga fushëveprimi i Departamentit të Administratës;
• Drejtori i Administratës i përgjigjet drejtpërdrejt sekretarit të Kuvendit;

Kualifikimet e kërkuara:

Arsimimi:

Ta ketë të kryer fakultetin, drejtimi: juridik, administratë publike në njërin nga universitetet e njohura.

Përvoja:

T’i ketë 5 (pesë) vjet përvojë profesionale në menaxhim, udhëheqje në shërbimin civil.

Aftësi gjuhësore:

Njohje e rrjedhshme e gjuhës shqipe dhe e gjuhës serbe, e shoqëruar me aftësi të mira të hartimit. Njohja e gjuhës angleze ose e ndonjërës nga gjuhët e tjera zyrtare, që fliten në institucionet e BE-së, e dëshirueshme.

Aftësi të tjera:

• Kërkohet të ketë aftësi udhëheqëse dhe organizative, të jetë i hapur, të ketë mendim kreativ dhe të jetë në gjendje të gjejë zgjidhje.
• Aftësi të mira ndërpersonale dhe aftësi për të bashkëvepruar në marrëdhëniet efektive dhe të harmonishme me stafin, kolegët dhe mbikëqyrësin.
• Njohuri për punën e Kuvendit, të jetë i/e aftë ta përballojë dhe ta organizojë punën, të jetë në gjendje të punojë me orar të ndryshueshëm.
• Aftësi për përdorimin e kompjuterit: Word, Excel etj.

INFORMATË E PËRGJITHSHME PËR TË GJITHË KANDIDATËT

Administrata e Kuvendit ofron mundësi të barabarta punësimi dhe i mirëpret edhe kërkesat e pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë dhe të femrave. Politika e drejtë e punësimit të të gjitha komuniteteve të Kosovës është zbatuar në strukturën e kuadrove të administratës së Kuvendit.
Kandidatët e përzgjedhur në listën e ngushtë do t’u nënshtrohen testimit dhe intervistimit. Do të kontaktohen vetëm kandidatët e përzgjedhur në listën e ngushtë.

PROCEDURA E KONKURRIMIT

Formulari për konkurrim mund të nxirret nga faqja e internetit e Kuvendit (htpp://www.assembly-kosova.org) ose mund të merret në recepcionin e ndërtesës së Kuvendit në Prishtinë (rr. “Nëna Terezë ”, p. n.). Formulari zyrtar i konkurrimit duhet të dorëzohet së bashku me dëshminë për kualifikimin shkollor, për specializimin, për kurset e ndjekura, për përvojën e punës dhe dy referenca. Përdorimi i formularit të gabueshëm dhe të pakompletuar me të dhënat e kërkuara, si dhe me të dhëna të paraqitura me vonesë, do të konsiderohet i pavlefshëm.
Kërkesa mund të dorëzohet në recepcionin e ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës në Prishtinë (rruga ``Nëna Terezë`` p. n.) ose me postë, si dhe në Zyrën e Personelit nr. N -217, kati II.

Për informata shtesë mund të telefononi në telefonat: 038 200 10490 dhe 038 200 10493.

Afati për konkurrim është prej 30 shtator, deri më 14 tetor 2009, deri në orën 16:00.