Aktivitetet e transparencës së Kuvendit

Nga punimet e Konferencës vjetore Kuvend – Shoqëri Civile

Organizuar nga Forumi për Transparencë Parlamentare, sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës, zhvilloi punimet Konferenca e tretë vjetore, Kuvend-Shoqëri Civile, qëllimi i së cilës është përfshirja sa më e madhe e organizatave të shoqërisë civile në politikë bërje, ligj bërje dhe ndihmë në mbikëqyrjen e ekzekutivit. Për rolin dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit dhe Shoqërisë Civile, foli nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Xhavit Haliti, i cili vuri në spikamë nevojën e një bashkëpunimi edhe më të thellë. Për të avancuar edhe më tej bashkëpunimin ndërmjet Kuvendit dhe Shoqërisë Civile, nënkryetari i Kuvendit Haliti, me ketë rast vuri në dukje nevojën e një infrastrukture ligjore, e cila sipas tij, do të siguronte hapësirë edhe më të madhe për një mbikëqyrje më të efektshme të ekzekutivit nga ana e Kuvendit. Lidhur me këtë, Haliti vlerësoi se mungesa e ministrave në interpelancë, si dhe mungesa e tyre atëherë kur deputetët adresojnë pyetje, do duhej të rregullohej në atë mënyrë që kjo të mos ndodhë. "Duhet përcaktuar saktësisht detyrimet e ministrave ndaj Kuvendit", u shpreh nënkryetari i Kuvendit, Haliti, i cili në vijim foli edhe për rolin e shoqërisë civile, në kuadër të transparencës dhe mbikëqyrjes së ekzekutivit, si dhe të Kuvendit. Lidhur me këtë, nënkryetari i Kuvendit Haliti, pasi vuri në dukje angazhimin e organizatave të shoqërisë civile, për të cilat vlerësoi se disa nga to nuk po arrijnë të përmbushin misionin që kanë, u shpreh:" Çështja e interesit publik duhet të jetë në fokus të angazhimeve nga organizatat e Shoqërisë civile", dhe shtoi se :"Ekspertiza e OJQ-ve, nuk duhet të jetë e përqendruar vetëm në interesa të caktuara, por, si ndihmë për Kuvendin dhe qytetarët e vendit". Punën e përbashkët ndërmjet Kuvendnit dhe Shoqërisë Civile, të realizuar deri më tani, e paraqiti Shqipe Krasniqi, zyrtare e lartë për koordinim të donatorëve dhe marrëdhënie me shoqëri civile në Kuvendin e Kosovës. Në vijim foli deputeti Zenun Pajaziti, krytar i Forumit për Transparencë Parlamentare. Ai vlerësoi se ideja e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit dhe Shoqërisë Civile, duhet zhvilluar edhe më tej me një koordinim edhe më të madh për të rezultuar punë edhe më cilësore. Se Kuvendi realizon bashkëpunim dhe transparencë të mirë me shoqërinë civile, tha më tej Pajaziti, flasin edhe vlerësimet e deritashme të shumë organizatave prestigjioze dhe OJQ të pavarura. Deputetja Shqipe Pantina, ndërkaq, tha se Kuvendi si organi më i lartë në vend, si dhe më i qasshmi për qytetarët kritikohet më shumë. Sepse, shtoi ajo, për qytetarët është më e lehtë që nëpërmjet tij, të shfaqin pakënaqësitë ndaj ekzekutivit, përkatësisht, Qeverisë. OJQ-të, u shpreh deputetja Pantina në vijim, duhet të jenë edhe më aktive dhe jo të jenë vetëm si vëzhguese në punën e Kuvendit. Në vijim fjalën e mori deputeti Sali Morina, i cili pasi falënderoi përfaqësuesit e shoqërisë civile për ndihmën e deritashme ndaj Kuvendit, foli për nevojën e rritjes së transparencës dhe llogaridhënies. Ai vlerësoi se Kuvendi duhet të avancojë edhe më tej bashkëpunimin me shoqërinë civile, ndërkaq, vuri në spikamë angazhimin e tyre në hartimin e ligjeve. Lidhur me këtë, ai kërkoi nga OJQ-të që të jenë edhe më aktive në punën e komisioneve. Në emër të INDEP-it foli Burim Ejupi, i cili u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin e deritashëm. Bashkëpunimi i deritanishëm tha ai, ka bërë që shumë ligje të miratuara në Kuvend të jenë të një cilësie të lartë, ndërkaq, vuri në spikamë faktin se shumë nga amendamentet e projektligjeve, të propozuara nga INDEP-i janë përkrahur në komisione. Për bashkëpunimin e Kuvendit me KDI-në, foli Jeta Krasniqi. Ajo u shpreh e kënaqur me bashkëpunimin e deritashëm dhe vlerësoi transparencën e Kuvendit, e cila sipas saj, nënkupton edhe llogaridhënie. Ajo në vijim foli edhe për disa projekte të realizuara prej tyre, duke veçuar me këtë rast projektin "Vota Ime", për të cilin tha se realizohet në bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin. Shpresoj, tha ajo në vijim, se ky bashkëpunim do të jetë edhe më i thelluar në të ardhmen. Deputetja Time Kadrijaj, e cila po ashtu lavdëroi punën e Kuvendit dhe bashkëpunimin me OJQ-të, vlerësoi se Kuvendi është i hapur për OJQ-të dhe me këtë rast u bëri thirrje atyre që të jenë edhe më aktiv gjatë hartimit të ligjeve. Ajo më pas u shpreh se vlerësimi i punës së deputetëve nuk duhet bërë vetëm në bazë të angazhimit të tyre gjatë seancave plenare. Angazhimi më i madh i deputetëve, tha ajo, vije në shprehje gjatë punës në komisione dhe grupe punuese, dhe mbi këtë bazë, vlerësoi deputetja Kadrijaj, duhet bërë vlerësimi për punën e tyre. U fol më tej për nevojën e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet OJQ-ve dhe Kuvendit, ndërkaq, në kuadër të kësaj u diskutua edhe për gjetjen e mënyrave për të realizuar këtë. Lidhur me këtë u angazhua Visar Rushiti nga instituti GAP, i cili vlerësoi se në bazë të praktikave të shteteve të zhvilluara, ky bashkëpunim më së lehti arrihet nëpërmjet dëgjimeve publike dhe tryezave të përbashkëta ndërmjet Kuvendit dhe OJV-e. Po ashtu, Rushiti vlerësoi se monitorimi i përbashkët i zbatimit të ligjeve ndikon në forcimin e bashkëpunimit. Në fund të takimit të kësaj tryeze, u nxorën edhe rekomandime, të cilat do të shërbejnë për avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë Kuvend- Shoqëri Civile.