Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Fjalim i mbajtur më 5 Shtator 2015, me rastin e koncertit solemn për nder të humanistes Nëna Terezë

Të nderuar miq,
Zonja dhe zotërinj,
Mirë se keni ardhur në këtë mbrëmje të veçantë, kushtuar njeriut më të veçantë dhe më të jashtëzakonshëm të kësaj toke, bijës sonë - Nënës Terezë.
Të nderuar miq,
Tre vite më parë, kur Organizata e Kombeve të Bashkuara vendosi se duhej të kishte një datë dhe një emër, që do të simbolizonte përkushtimin global për bamirësi dhe humanizëm, askush nuk kishte dilema se cila do të ishte kjo datë dhe cili do të ishte ky emër.
Të gjithë e dinin, të gjithë e ndjenin: ishte Nëna Terezë, Gonxhe Bojaxhiu, bija e madhe e popullit tonë, humanistja më e madhe në historinë moderne.
E lindur dhe rritur në një kohë të trazuar, vasha e ndrojtur e Bojaxhinjve të Prizrenit, në një ditë gushti të vitit 1928, shumë afër nga Prishtina, në Letnicën e Vitisë, mori vendimin jetësor për t'u nisur në rrugën e madhe të bamirësisë e humanizmit. Nuk u kthye kurrë më në Letnicë dhe në Kosovë, por shpirtin e kësaj toke e mori me vete, për ta kthyer në lëvizje botërore të bamirësisë, solidaritetit, paqes dhe dashurisë njerëzore.
Me veprën e saj jetësore, Nënë Terezë, i tregoi gjithë botës se vinte nga një popull i vogël, por me zemër të madhe. Nuk ka dhuratë më të çmuar se sa kjo që dikush mund t'ia bëjë atdheut të vet.
Të nderuar miq,
Zonja dhe zotërinj,
Ne në gjuhën tonë e kemi një fjalë që e duam shumë: fjalën krenari. Sa herë që udhëtojmë nëpër botë, takojmë njerëz të regjioneve të ndryshme, kulturave të ndryshme, nga Australia në Skandinavi, nga Amerika në Japoni, ne e ndjejmë, e përjetojmë, e prekim faktin se është pikërisht Nëna Terezë - ajo që na bën krenar si popull.
Të nderuar miq,
Sonte jemi mbledhur këtu, në këtë tempull të respektuar, që së bashku, të dëgjojmë tingujt e himnit të saj.
Nga këtu, nga Prishtina, këta tinguj do të dëgjohen në të gjithë botën për të dhënë përsëri mesazhin për të cilin veproi gjithë jetën e saj, bija jonë e madhe - Nëna Terezë:
Mesazhin e paqes që triumfon mbi dhunën e shkatërrimin,
Mesazhin e solidaritetit që triumfon mbi indiferencën e mospërfilljen,
Mesazhin e dashurisë njerëzore që triumfon mbi urrejtjen,
Mesazhin se jeta jonë merr kuptim vetëm duke punuar me besimin se gjithmonë është e mundur një botë më e mirë, më e drejtë, më paqësore.
Ju faleminderit!