Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Fjalim i mbajtur në Konferencën e Tretë të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës

E nderuara presidente e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga,
I nderuari zëvendëskryeministër dhe ministër i punëve të jashtme të Kosovës, z. Hashim Thaçi,
Të nderuar ambasadorë të Republikës së Kosovës.
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni që në fillim të theksoj rëndësinë e kësaj konference, që tanimë është kthyer në një traditë të mirë institucionale.
Jemi këtu së bashku për të parë punën që kemi bërë në njërin nga segmentet themelore të funksionimit të shtetit:
- politikën e jashtme
- dhe marrëdhëniet diplomatike të vendit tonë me shtetet tjera.
- por në të njëjtën kohë edhe të shohim se cilat janë mundësitë e reja dhe detyrat tona të reja në shërbimin tonë ndaj vendit.
Shteti ynë është duke kaluar nëpër procese komplekse dhe mjaft të vështira të konsolidimit të brendshëm dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar.
Të gjitha këto procese kanë të bëjnë me qëllimin tonë kryesor për të përmbyllur shtet ndërtimin, pas të cilit na pret një punë tjetër po aq e madhe dhe historike: përmbushja e vizionit tonë për t'u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Të nderuar ambasadorë,

Ne duhet ta kemi të qartë se konsolidimi i shtetit, dhe përparimi në proceset integruese, varen nga një faktor themelor.
Ky faktor është zhvillimi ekonomik.
Prandaj është urgjente:
- që ekonominë ta kthejmë në fokusin tonë kryesor,
- në agjendën kryesore të veprimeve dhe angazhimeve tona institucionale dhe shoqërore.
Është e nevojshme që ky përcaktim të shërbejë edhe si orientim strategjik i diplomacisë sonë.
Me këtë nënkuptoj orientimin drejt diplomacisë ekonomike.
Vendit tonë nuk i mjafton më vetëm diplomacia e kurtuazisë.
Na duhen veprime konkrete, veprime të matshme për nga efekti i tyre.
Na duhen marrëveshje konkrete me vendet me të cilat kemi marrëdhënie ndërshtetërore, posaçërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik.
Ne duhet ta kemi të qartë se askush nuk do të vijë të na lutet për këtë.
Vetë ne duhet të jemi insistues dhe gjurmues në këtë drejtim.
Ne e dimë se kapacitetet e shtetit tonë në fushën e diplomacisë janë të kufizuara, por kjo gjendje nuk mund të ndryshoj nëse nuk kemi përparime ekonomike në vend.
Në një dimension tjetër, fokusi tek ekonomia, përshpejtimi i zhvillimit ekonomik, na siguron instrumentet më të mira në përballjen me efektet e sfidave globale në shoqërinë tonë.
Në radhë të parë është sfida e terrorizmit.
Ekstremistët fetarë ushqehen në kushtet e jo stabilitetit politik, pasigurisë ekonomike dhe rënies së shpresave sociale.
Duke e nxjerrë vendin nga stagnimi ekonomik ne pakësojmë rrezikun që vendi ynë të bëhet tokë pjellore për ideologjitë e tyre.
Ne në asnjë rrethanë nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhë.
Por, veç masave policore, janë të domosdoshme masat ekonomike dhe investimi real në fushën e edukimit.
Është urgjente që kjo të ndodhë, sepse Kosova është tepër e vogël për të përballuar lajme negative mbi të rinjtë e saj që përfundojnë në kampet e terroristëve.

Të nderuar ambasadorë,

Javët dhe muajt e fundit vendi ynë është duke u përballur edhe me një sfidë tjetër shumë të vështirë.
Kjo është sfida e Gjykatës Speciale.
Duke mos dashur që të bëjë historinë se si erdhëm deri në këtë situatë, më lejoni të theksoj se jemi në momentin kur ne si shtet duhet ta tejkalojmë këtë sfidë me racionalizëm dhe pjekuri politike e historike.
Kosova assesi nuk bën që të dalë e humbur nga kjo sfidë.
Kosova duhet të dalë e fituar dhe faqebardhë.
Që kjo të ndodhë ne duhet që të ngrihemi mbi emocionet tona individuale dhe të veprojmë me arsyen shtetërore.
Në të njëjtën kohë na duhet të ruajmë të pa lënduar partneritetin me botën perëndimore, me të cilën i kemi arritur të gjitha sukseset historike të Kosovës, Çlirimin, Pavarësinë, Konsolidimin e Shtetit.
Përveç këtij partneriteti, ne nuk kemi rrugë tjetër, të ecjes përpara.
Vizioni euro-atlantik është zgjedhja jonë finale.
Ju faleminderit!