Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Fjalim i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, të mbajtur në Akademinë përkujtimore kushtuar Masakrës së Reçakut

Të nderuara familje të dëshmorëve,
Të nderuara familje të martirëve,
Zonja dhe zotërinj,

Jemi së bashku sot në këtë akademi për të përkujtuar 15 janarin e vitit 1999, ditën kur në fshatin Reçak u krye një nga krimet më të rënda që tronditi gjithë botën dhe preku thellë ndërgjegjen e njerëzimit.

Dhjetëra banorë të fshatit Reçak u masakruan barabarisht nga forcat okupatore serbe vetëm pse nuk pranonin shtypjen dhe aspironin lirinë.

15 janari është ditë e dhembjes dhe krenarisë sonë. Është ditë që simbolizon fatin tonë historik të kaluar përmes vuajtjeve dhe sakrificave. Është ditë në të cilën 16 vite më parë bota e pa të vërtetën tonë, të vërteten e një populli që kishte vendosur që shekullin e XX të mos e mbyllte duke qenë i robëruar, pavarësisht çmimit që duhej paguar.

Krimi në Reçak u krye për të thyer besimin e popullit tonë tek liria, por ky projeksion doli krejtësisht i gabuar: terrori dhe frika kurrë nuk mund të mposhtin vullnetin për liri.

Ajo që erdhi pas 15 janarit të vitit 1999 e dëshmon këtë: vendosmëria e popullit tonë të udhëhequr nga Ushtria çlirimtare e Kosovës për ti sjellë lirinë Kosovës u bë edhe më e madhe dhe më e fuqishme. Për këtë më se miri na dëshmon rënia heroike e luftëtarit të madh të UÇK-së, Ahmet Kaçikut dhe e bashkëluftëtarëve të tij për të mbrojtur trupat e martirëve të Reçakut.

E dimë nga historia se sunduesit gjithmonë kur bëjnë masakra kanë një qëllim të vetëm, të vrasin shpirtin e lirisë të një populli. Në Reçak ky skenar i zi humbi betejën me aspiratën tonë të pathyeshme për të çliruar Kosovën nga një regjim i egër me tipare të qarta fashiste.

Sot, Kosova është e lirë dhe e pavarur, falë gjakut të mijëra dëshmorëve e martirëve të popullit tonë. Sot ne po ndërtojmë një shtet demokratik që punon të bëhet pjesë e familjes së vlerave europiane.

Është detyrë e jona si qytetarë dhe institucione që amanetin e dëshmorëve të Reçakut dhe të gjithë Kosovës ta jetësojmë me veprat tona për t'i garantuar lirinë dhe të ardhme Kosovës sonë, atdheut tonë të dashur

Lavdi martirëve të Reçakut!
Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të Kosovës