Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...

E Marte, 09.10.2018




Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, në mbledhjen e mbajtur sot, nën udhëheqjen e kryetarit, Muharrem Nitaj, të ftuar kishte përfaqësuesit e Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë për të raportuar lidhur me farërat dhe plehrat e importuara në Kosovë.

Përfaqësuesi i AUV-së, Ismet Fejzullahu para komisionit prezantoi raportin dhe zhvillimet që ka bërë ky agjencion. Fejzullahu, gjatë fjalës së tij tha se AUV përmes inspektorëve gjatë importit në këtë periudhë ka intensifikuar kontrollet për të gjithë operatorët e biznesit, të cilët importojnë farëra dhe plehra kimike për përdorim në bujqësi, siç tha ai, me qëllim të inspektimit të ngarkesave që importohen nga shtetet tjera duke u siguruar që farërat dhe plehrat e importuara i përmbushin kriteret e cilësisë.

" Operatorët e licencuar të cilët arrijnë të marrin pëlqimin nga inspektorët fitosanitar regjistrohen në regjistrin e importuesve të plehrave dhe farërave, që menaxhohet dhe përditësohet nga MBPZHR, dhe e është përgjegjëse për lëshimin e licencave për import të farërave dhe plehrave artificiale".

Sipas Fejzullahut, gjatë periudhës janar-tetor 2018, sasia e grurit të importuar për farë është 2,549 ton, ndërsa sasia e importit të plehrave minerale është 40,150 ton.

Anëtarët e komisionit u shprehën të pa kënaqur lidhur me raportin e këtij agjencioni, duke e vlerësuar të mangët dhe raport të pa detajuar. Pyetjet e deputetëve kishit ë bënin me importin e farërave dhe plehrave jo cilësore. Lidhur më këtë ata shtruan pyetje se a kontrollohen nga inspektorët në kufi, a ka kompani ilegale, shqetësimet e fermerëve lidhur me cilësinë e dobët të farërave dhe grurit etj. Nga anëtarët u kërkua që raporti të plotësohet me informata dhe detaje shtesë, të monitorohet puna e këtij agjencioni meqë nuk janë të kënaqur me punën e bërë të tyre.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...