Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave
E Premte, 05.10.2018
Sot u mbajt mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga Driton Selmanaj, kryetar i komisionit.
Në prezencë të ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, u bë shqyrtimi i raportit të auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Ministrisë së Infrastrukturës për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2017.
Anëtari i komisionit, Avdullah Hoti, shpalosi problematikat që ka shpërfaqë ky auditim, përfshirë pagat dhe personelin, problematikat në prokurorim, mangësi në procesin e pranimit të punëve, klasifikimi jo i mirë i shpenzimeve etj.
Si problematikë tjetër, Hoti ngriti edhe hyrjen në obligime buxhetore pa mbulesë adekuate dhe menaxhimin e borxheve.
Nga ana tjetër, ministri Pal Lekaj theksoi se kjo ministri i merr me shumë seriozitet të gjeturat dhe rekomandimet e auditorit dhe se për problematikat e përmendura tha se nuk ishte as vet i kënaqur. Ai bëri të ditur se tashmë veç është filluar të merren masa.
Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e raportit të auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Stacionit të Autobusëve sh.a. Prishtinë për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2017. Anëtari i komisionit, Valon Ramadani, shpalosi problematikat që ka shpërfaqë ky auditim, ndër të cilat, planifikimi i dobët i të hyrave, shpenzimet për paga dhe punësimet përtej planifikimit etj. U potencua po ashtu menaxhimi i dobët financiar dhe i kontrollit, si dhe blerja e mallrave pa procedurë të prokurimit.
Përfaqësuesi i Stacionit të Autobusëve sh.a. Prishtinë, Emin Sylejmani potencoi angazhimet dhe masat për evitimin e mangësive të identifikuara.
Në vazhdim, komisioni diskutoi për Planin e Punës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për sezonin e auditimit 2018-2019.
Perfundimet nga të tri pikat do të bëhen në mbledhjen e radhës së komisionit.