Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike...
E Mërkure, 03.10.2018
Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, kryesuar nga kryetari Nait Hasani, është mbledhur sot, për të shqyrtuar në parim katër projektligje: Projektligjin për Radiotelevizionin e Kosovës, Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik, Projektligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura, si dhe Projektligjin për Zyrtarët Publikë, i cili takim nuk u realizua pasi që deputetet e opozitës lëshuan mbledhjen.
Në këtë mbledhje, kryetari Hasani bëri të ditur për një takim të djeshëm të grupit punues të Komisionit, në të cilin, sipas tij, është dakorduar që sot të hyjë në rend dite dhe të votohet për procedim dhe shqyrtim në seancë Projektligji për Radio Televizionin e Kosovës.
Përkitazi më këtë, deputetja Shqipe Pantina propozoi që ky projektligj të shtyhet edhe për dy javë tjera, ndërsa, të vazhdohet me shqyrtimin e projektligjeve tjera. Ajo, kërkoi që të merret parasysh kërkesa e saj, për hir të bashkëpunimit pozitë- opozitë, ose përndryshe siç deklaroi ajo, nuk do të merr pjesë në mbledhje të komisionit.
Anëtarët e pozitës u shprehën të pakënaqur lidhur me mospjesëmarrjen e opozitës në mbledhje të komisionit, duke i konsideruar jo korrekte qëndrimet e tyre, të cilët ditë më parë ranë në ujdi për procedim të mëtutjeshëm të këtij projektligji.
Pas deklarimeve të anëtarëve të pozitës, fjalën e mori përsëri deputetja Shqipe Pantina, e cila dha qëndrimin e saj, duke theksuar se nëse nuk merren parasysh edhe kërkesat e opozitës, ajo do ta lëshojw mbledhjen. Pasi deputetja Pantina doli nga mbledhja, në mungesë kuorumi u pa mundësua mbajtja e këtij takimi.