Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Mërkure, 19.09.2018
Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në mbledhjen e sotme, e para e sesionit vjeshtor, nën drejtimin e kryetares së komisionit, Besa Baftiu, shqyrtoi planin e punës së Komisionit, i cili pas diskutimeve të anëtarëve të komisionit u miratua në parim . Gjithashtu Komisioni shqyrtoi dhe miratoi në parim edhe Projektligjin për Inspektoratin e Punës.
Më pas komisioni vijoi punën me takimin e dy organizatave, UNFPA ( Fondi i Popullatës së Kombeve të Bashkuara) dhe koalicionin K-10 lidhur me të Drejtat në Shëndetin Seksual dhe Riprodhues në Kosovë. Zarife Myftari, në emër të agjencionit UNFPA dhe Elvanda Gojani, në emër të koalicionit K-10 paraqitën një rezyme të aktiviteteve të tyre si dhe disa objektiva për bashkëpunim me Komisionin për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale.
Pas diskutimeve të deputetëve, Flora Bronvina, Fatmire Kollçaku, Drita Millaku, Naser Rugova dhe Time Kadrijaj, në emër të Komisionit, kryetarja Besa Baftiu shprehu vullnetin për bashkëpunim kryesisht në procesin e punës për përmirësimin e ligjit.