Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet

E Mërkure, 19.09.2018




Komisioni për Buxhet dhe Financa ka mbajtur sot mbledhjen e parë të sesionit vjeshtor, kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, zv/kryetare e parë e komisionit.

Me këtë rast, janë shqyrtuar një mori projektligjesh dhe dy raporte financiare. Fillimisht janë shqyrtuar dhe proceduar tutje për në seancë plenare tri projektligje, për miratimin e të cilave kërkohet vota e 80 deputetëve, pasi që ato janë të karakterit të marrëveshjeve ndërkombëtare, përkatësisht institucioneve financiare ndërkombëtare.

Projektligjet e miratuara në këtë mbledhje, të cilat para komisionit i paraqiti dhe arsyetoi ministri i Ministrisë së Financave, Bedri Hamza, janë: Projektligji nr. 06/L-098 për ratifikimin e Marrëveshjes për hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane Investime për Projektin e Autostradës Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë - Zahaq, Projektligji nr. 06/L-106 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës lidhur me Programin Mbështetës për Ujësjellës dhe Kanalizim në Zonat Rurale - Faza VI dhe Projektligji nr. 06/L-112 për ratifikimin e Marrëveshjes për Financim midis Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Ekonomisë Digjitale të Kosovës.

Në vijim, komisioni shqyrtoi dhe përkrahu në parim edhe Projektligjin nr.06/L-104 për tatimin në të ardhurat personale, si dhe Projektligjin nr.06/L-105 për tatimin në të ardhurat e korporatave. Sqarimet e nevojshme lidhur me këto projektligje i paraqiti ministri Hamza, ndërkaq, në vijim është shqyrtuar dhe përkrahur po ashtu, edhe Projektligji nr. 06/L-043 për lirinë e asociimit në Organizatat Joqeveritare dhe amendamenteve të komisionit funksional për Administrate Publike, Qeverisjen Lokale dhe Media.

Pas kësaj, mbledhja ka vijuar me shqyrtimin dhe miratimin e Raportit të shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2018.

Këtë raport, para komisionit e paraqiti Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi.

Në fund të takimit, është shqyrtuar dhe përkrahur po ashtu edhe Raporti vjetor financiar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2017.

 

Mbledhja e Komisionit për Buxhet