Lajmet e fundit
Veseli: Projekti “Bashkimi i Qytetit” do t’i japë Ferizajt zhvillim, dimension dhe perspektivë të re
E Mërkure, 19.09.2018
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, së bashku me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, bëri hapjen e punimeve të Projektit "Bashkimi i Qytetit" në Ferizaj, i cili kapë vlerë prej 4 milionë dollarësh dhe përfshin ndërtimin e nënkalimit për automjete që do të lidh rrugët "Vëllezërit Gërvalla" me "Latif Hasani", deri te rrethrrotullimi afër Shtëpisë së Pensionistëve.
Në fjalën e tij para shumë qytetarëve ferizajas, kryeparlamentari Veseli tha se është emocionuese kur kaq shumë qytetarë marrin pjesë në ceremoninë e fillimit të një projekti, duke dëshmuar kështu nevojën e kahershme të tij.
"E di që ky projekt ka qenë ëndërr për qytetarët e Ferizajt. Sigurisht ka pasur edhe skpekticizëm. Por ky projekt do të realizohet shumë shpejt, duke i dhënë qytetit të Ferizajt një dimension të ri, zhvillim dhe perspektivë, e njëkohësisht do të krijojë siguri për nxënësit dhe të gjithë ferizajasit në përgjithësi", theksoi Veseli.
Kreu i Kuvendit tha se sikurse qyteti i Ferizajt, po ndryshon e gjithë Kosova. Ai tha se Kosova po ecë vendosmërisht në rrugëtimin e saj evropiane.
"Jemi të vetëdijshëm se ka ende shumë për të bërë dhe ende nuk po e arrijmë perspektivën të cilën të rinjtë tanë e duan. Thërras gjithë të rinjtë që të qëndrojnë në Kosovë dhe ta bëjmë bashkë ndryshimin. Vizioni ynë është shumë i qartë: integrimi euro-atlantik dhe zhvillimi ekonomik", theksoi Veseli.
Ai tha se ajo çfarë u duhet më së shumti qytetarëve tanë është besimi.
"Kush kishte besuar para 20 vjetëve se do të realizohen projekte të tilla në Ferizaj?
Kush kushte besuar se Ferizaj do të lidhej me këtë lloj autostrade moderne me Shkupin? Ky është vetëm fillimi. Do të fillojë edhe projekti i hekurudhës, duke evituar rrezikun për qytetarët, i cili do të përfundojë në afat rekord", theksoi Veseli, duke falënderuar kryetarin e Komunës, Agim Aliu, për vendosmërinë e tij që ky projekt të realizohet.
Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se Ferizaj ka një veprimtari të madhe ekonomike, kompani që i bëjnë nder qytetit dhe gjithë Kosovës, si dhe taksapagues të rregullt. Ai shprehu kënaqësinë që këto taksa po kthehen në vepra të mira dhe e konsideroi të drejtë faktin që ky projekt që po kthehet në vendin e vet.
"Dikur kemi qenë larg, tash të gjithë jemi dëshmitarë se po afrohemi çdo ditë e me shumë. Po na afrojnë veprat e mira, po na afron sakrifica për liri, miqtë tanë dhe puna e vizioni ynë i sotëm. Do ta vazhdojmë këtë vizion, që sa më parë të jemi pjesë e BE-së dhe NATO-s", theksoi Haradinaj, ndërsa shtoi se në Ferizaj do të realizohen edhe vepra të tjera, siç është Ujëmbledhësi i Lepencit, i cili, siç tha ai, ka mbetur vepër në pritje.