Lajmet e fundit

Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë (KPSA): Deklarata dhe Rekomandimet

E Marte, 18.09.2018




Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë (KPSA)


Mbledhja e pestë
17-18 shtator 2018
Prishtinë
Deklarata dhe Rekomandimet
Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë (KPSA) mbajti takimin e tij të pestë në Prishtinë, më 17 dhe 18 shtator 2018, nën bashkë-kryesimin e z. Memli KRASNIQI, Kryetar i delegacionit të Kuvendit të Kosovës dhe z. Tonino PICULA, Kryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian. Shkëmbeu pikëpamje me:
· SH.T. Ramush Haradinaj, Kryeministër, në emër të Qeverisë së Kosovës;

· Znj Nataliya APOSTOLOVA, Shefe e Zyrës së BE-së / Përfaqësuese Speciale e BE-së në Kosovë, në emër të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe në emër të Komisionit Evropian;

Komisioni adresoi temat e mëposhtme:
· Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë;
· Krimet e luftës dhe rruga drejt pajtimit;
· Zhvillimet në ekonomi, duke përfshirë funksionimin e MSA-së;
· Sundimi i ligjit, me fokus në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar;
· Liberalizimi i vizave - përmbushja e parakushteve;
· Bashkëpunimi rajonal si një rrugë përpara drejt integrimit në BE;
· Mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore, me fokus në dhunën në familje dhe gjendjen e romëve;
· Ndihma (asistenca) para-anëtarësimit e Parlamentit Evropian për parlamentet kombëtare;
Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim, në pajtim me Rregullën 3 të Rregullores së vet të Punës, dhe të nenit 132 të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit BE- Kosovë, adresoi Deklaratën dhe Rekomandimet e mëposhtme të Këshillit të Stabilizim-Asociimit dhe të institucioneve të Kosovës dhe të Bashkimi Evropian:
1. Theksoi që zgjedhjet e lira, të drejta dhe transparente janë kyçe për të ardhmen demokratike të Kosovës; mirëpriti faktin që zgjedhjet parlamentare të parakohshme të 11 qershorit 2017, si dhe zgjedhjet komunale dhe ato për kryetar komunash të 22 tetorit dhe 19 nëntorit 2017 ishin vërtet konkurruese dhe paqësore në shumicën e pjesëve të Kosovës, dhe në përgjithësi votuesve u ishin ofruar informata pluraliste mbi forcat politike që ishin në garë; shprehu keqardhje për faktin që brenda komunitetit Serb në Kosovë, atmosfera e fushatës u dëmtua (pengua) nga një seri (vazhdë) e frikësimeve, dhe shprehu keqardhje që procesi i zgjedhjeve ishte ndikuar negativisht nga një numër i mangësive serioze të kahershme, përfshirë mosrespektimin e Nenit 45 të Kushtetutës së Kosovës që lidhet me shtetësinë për ushtrimin e të drejtës së votës dhe mangësi të tilla si: pasaktësia në listën e votimit, pjesëmarrja e ulët e grave dhe sistemi i votimit i dëmtuar në masë të madhe për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë; i bëri thirrje autoriteteve që të ndjekin (zbatojnë) rekomandimet e shprehura nga Misioni i BE-së për Vëzhgim të Zgjedhjeve në raportet e tij për zgjedhjet e vitit 2017; theksoi rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies së financave të partive politike;
2. Inkurajoi qeverinë e Kosovës që të vazhdojë përpjekjet e saj për njohje diplomatike nga vendet anëtare të BE-së dhe theksoi nevojën për të vepruar vazhdimisht si një partner bashkëpunues me të gjitha institucionet e Bashkimit Evropian si dhe ato të shteteve anëtare, qeveritë rajonale dhe komunat;
3. Përshëndeti faktin që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, siç është konfirmuar në raportin e Komisionit të 18 korrikut 2018 dhe përsëriti mbështetjen e tij për propozimin legjislativ të Komisionit për dhënien e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës që do të mirëpritet veçanërisht nga të rinjtë;
4. Shprehi kënaqësinë për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi më 21 mars 2018, e cila ishte një arritje e rëndësishme në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe përfaqëson përmbushjen e njërit prej kritereve kryesore për liberalizimin e vizave për Kosovën;
5. Mirëpriti faktin që autoritetet e Kosovës kanë krijuar dhe forcuar një regjistër të qëndrueshëm të hetimeve dhe vendimeve gjyqësore të formës së prerë në rastet që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsionin, siç është konfirmuar nga Komisioni në raportin e tij të 18 korrikut 2018; megjithatë vuri në dukje që korrupsioni dhe krimi i organizuar janë akoma të përhapur dhe mbeten çështje shqetësuese në Kosovë; theksoi rëndësinë dhe nevojën për prokurorë dhe gjyqtar të specializuar (profesional) që merren me rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar; i bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të vazhdojnë ta intensifikojnë luftën e tyre kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit pasi akoma ka pak dënime të formës së prerë;
6. Theksoi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të kornizës ligjore dhe operacionale të Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar; në këtë drejtim përshëndeti miratimin kohët e fundit të disa ligjeve vendimtare, duke përfshirë miratimin e ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, atë për Prokurorin e Shtetit, kërkoi miratimin e Kodit Penal të rishikuar, të kodit të Procedurës Penale të rishikuar, draft ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, draft ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, draft ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve; inkurajoi operacionalizimin e prokurimit elektronik si një mjet për të luftuar korrupsionin në sektorin publik;
7. Përshëndeti progresin e institucioneve të Kosovës të bërë në fushën e migracionit dhe ripranimit; vuri në dukje faktin që numri i personave të ripranuar në vitin 2017 ishte rritur për më shumë se 80% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015;
8. Theksoi rëndësinë tejet të madhe të reformës së administratës publike për të siguruar një administratë publike të depolitizuar dhe efikase; shprehu shqetësim rreth zhvillimeve apo iniciativave që do të dëmtonin objektivat e reformës së administratës publike; ritheksoi (ripërsëriti) rëndësinë e dialogut BE- Kosovë për reformën e administratës publike; përshëndeti miratimin së fundmi të pakos së administratës publike, megjithatë shprehi shqetësim për qëndrueshmërinë fiskale të draft ligjit për pagat;
9. I bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që ta mbajë qëndrueshmërinë fiskale të financave publike të Kosovës;
10. Theksoi që rruga drejt integrimit në BE kërkon një vizion strategjik afatgjatë dhe përkushtim (angazhim) të pandërprerë (qëndrueshëm) në miratimin dhe zbatimin e reformave të nevojshme;
11. Theksoi se zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja është thelbësor për normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd dhe për perspektivën evropiane të të dy vendeve; bëri thirrje për të ecur me shpejtësi me zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura, me mirëbesim dhe në kohë; për të kontribuar në normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë; në veçanti bëri thirrje për krijimin e Asociacionit / Komunitetit të Komunave me shumicë serbe pa vonesa, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe bëri thirrje për zbatimin e marrëveshjes për energji në mes Kosovës dhe Serbisë dhe për obligimet që duhen përmbushur nga pala serbe, si dhe për funksionalizimin dhe funksionimin e sistemit të transmisionit të energjisë; mbështeti përpjekjet e Kosovës për integrim në komunitetin ndërkombëtarë, bëri thirrje për pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha organizatat rajonale dhe ndërkombëtare;
12. Bëri thirrje për një marrëveshje ligjërisht obligative (të detyrueshme) për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, acquis të BE-së dhe Aktin Final të Helsinkit; vuri në dukje që i tërë delegacioni i Kosovës rikonfirmoi që sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm dhe i pa negociueshëm;
13. I bëri thirrje udhëheqjes dhe partive politike të Kosovës për ta mbështetur angazhimin e tyre për sundimin e ligjit dhe për të vazhduar me mbështetjen e punës së Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në përputhje me kornizën ligjore ekzistuese, si një aspekt kyç i marrëdhënieve BE-Kosovë;
14. Dënoi në mënyrën më të fuqishme të mundshme vrasjen brutale të Oliver IVANOVIĆ në Mitrovicë më 16 janar 2018 dhe theksoi domosdoshmërinë që autorët e krimit të sillen para drejtësisë;
15. Mirëpriti integrimin e të gjithë gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ Serb në gjyqësorin e Kosovës, duke shënuar kështu fillimin e zbatimit të marrëveshjes për sistemin e unifikuar të drejtësisë, e cila u arrit në shkurt të vitit 2015; theksoi se një gjyqësor tërësisht i integruar, funksional dhe tërësisht përfaqësues është thelbësor për forcimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit dhe për garantimin e qasjes së barabartë në drejtësi në Kosovë, theksoi rëndësinë e parimeve të meritokracisë dhe transparencës në të gjithë gjyqësorin;
16. Theksoi nevojën për të siguruar emërime transparente dhe meritore të një numri adekuat të anëtarëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe për fuqizimin e gjykatave që merren me krime të rënda; përsëriti shqetësimet e veta në lidhje me numrin e lëndëve të grumbulluara; bëri thirrje për zvogëlimin e lëndëve të pazgjidhura; inkurajoi shqyrtimin (rishikimin) e procedurave të regjistrimit të rasteve;
17. Kujtoi konkluzionin e vet të mëparshëm mbi vdekjen e Astrit Deharit; bëri thirrje për zbatimin e plotë të Rezolutës së Kuvendit të Kosovës të miratuar në lidhje me këtë rast;
18. Përshëndeti përpjekjet e fundit në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit duke përfshirë hetimet në rritje dhe miratimin e Ligjit të ri mbi Legjislacionin e Armëve dhe Dorëzimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta, Municionit dhe Materialeve Shpërthyese; megjithatë shprehi shqetësimin për numrin e lartë të armëve ilegale të vogla dhe të lehta që qarkullojnë në Kosovë dhe i bëri thirrje autoriteteve që ta trajtojnë këtë situatë në mënyrë më efektive;
19. Inkurajoi përpjekjet sistematike për monitorimin, parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, pastrimit të parave, financimit të aktiviteteve terroriste dhe krimeve tjera financiare; përshëndeti sukseset e arritura dhe inkurajoi rritjen e përpjekjeve për parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm;
20. Vuri në dukje përparimin e pamjaftueshëm në zhvillimin dhe zbatimin e politikave të të drejtave të njeriut, bëri thirrje për rritjen e përpjekjeve për përmirësimin e kësaj situate, duke përfshirë një alokim të mjaftueshëm buxhetor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut; dënoi rastet e fundit të frikësimit dhe sulmeve fizike ndaj gazetarëve dhe përsëriti shqetësimin e vet për lirinë e shprehjes; shprehu keqardhje që janë bërë përpjekje të kufizuara për ndalimin e kërcënimeve dhe frikësimit të gazetarëve; theksoi nevojën për financim të qëndrueshëm të transmetuesit publik në përputhje me ligjin dhe me standardet më të mira evropiane;
21. Shprehu shqetësim serioz për mungesën e përmirësimit në lidhje me mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve; i bëri thirrje Kuvendit të Kosovës që të mbështesë rekomandimin e Avokatit të Popullit për të marrë parasysh Konventën e Stambollit kur ndërmerren masa kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje; bëri thirrje për profilizimin profesional të gjyqtarëve që merren me dhunën në familje dhe për emërimin e shpejtë të prokurorëve dhe gjyqtarëve të specializuar në fushën e dhunës në familje në përputhje me Strategjinë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Planin e Veprimit 2016-2020; bëri thirrje për iniciativa legjislative për të nxitur mbrojtjen e grave e sidomos për fuqizim të dispozitave ligjore në draftin e ri të Kodit Penal kundër dhunës në familje, bëri thirrje për sigurimin e gëzimit të plotë të të drejtave të grave duke përfshirë trajtimin e sfidave në fushën e të drejtave pronësore, përfshirë ndjekjen serioze penale të atyre që shkelin të drejtat e tyre; shprehu shqetësimin e vet se nuk ka pasur përgjigje të duhur policore dhe gjyqësore për raste të tilla; ripërsëriti thirrjen e vet për të siguruar pavarësinë financiare, funksionale dhe organizative të Avokatit të Popullit, në përputhje me standardet ndërkombëtare mbi institucionet kombëtare të të drejtave të njeriut dhe me qëllim të fuqizimit të Institucionit të Avokatit të Popullit; theksoi se për ta adresuar çështjen në mënyrë efikase, Kosova duhet të miratojë një pikëpamje holistike (të përgjithshme) mbi dhunën me bazë gjinore, duke siguruar pjesëmarrjen e grave në politikë, ekonomi dhe shoqëri, si dhe dukshmërinë dhe përfaqësimin e tyre në media;
22. Mirëpriti mbështetjen e autoriteteve për organizimin e Paradës së parë të Krenarisë në Prishtinë, por theksoi nevojën për të përmirësuar më tej mbrojtjen e të drejtave të pakicave, përfshirë komunitetin LGBTI; përshëndeti deklaratën e fundit të qeverisë në të cilën zotohet për zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe zgjidhjen e çështjes së përsëritur të financimit joadekuat;
23. Shprehu pakënaqësinë për gjendjen me të cilën komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian vazhdojnë të ballafaqohen dhe për mungesën e progresit në përmirësimin e jetesës së këtyre komuniteteve të cenueshme (të pambrojtura), veçanërisht në lidhje me marrjen e dokumenteve personale që ndikon në mundësinë e tyre për qasje në kujdesin shëndetësor, ndihmën sociale dhe arsim; ripërsëriti se janë të nevojshme përpjekje të mëtejshme për të mbrojtur të drejtat e të gjitha pakicave etnike në Kosovë; i bëri thirrje autoriteteve që të miratojnë një qasje e cila do të sjell rezultate në këtë drejtim; i bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të vazhdojnë me ndërtimin e besimit të ndërsjellë ndërmjet komuniteteve duke promovuar integrimin e tyre ekonomik;
24. I bëri thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të vazhdojnë të promovojnë një klimë të respektit dhe tolerancës, dhe dënoi të gjitha format e gjuhës së urrejtje; bëri thirrje për trajtimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit pa ndonjë diskriminim, adresimin e mosndëshkimit dhe sigurimin e përgjegjësisë; kërkoi nga të gjitha autoritetet në rajon që të vazhdojnë të punojnë në çështjen e fatit të personave të pagjetur dhe tua garantojnë të drejtat viktimave të luftës dhe familjeve të tyre, duke i kushtuar vëmendje të veçantë viktimave të dhunës seksuale; mirëpriti themelimin në Kosovë të Komisionit për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës dhe ndarjen (alokimin) e fondit për pensionet për viktimave e dhunës seksuale gjatë luftës
25. Kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të bëjë progres të konsiderueshëm në fushën e arsimit pasi që cilësia e arsimit duhet të përmirësohet dukshëm; bën thirrje për zbatimin e menjëhershëm të Planit Strategjik të Arsimit të Kosovës 2017-2021 dhe Planit të saj të Veprimit; shprehu shqetësimin e vet në lidhje me shkallën e ulët të regjistrimit të fëmijëve në institucionet e licencuara parashkollore.
26. I bëri thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që të vazhdojnë të promovojnë një klimë të respektit dhe tolerancës, dhe i dënoi të gjitha format e gjuhës së urrejtjes, përfshirë lavdërimin e kriminelëve të luftës; dënoi çdo tendencë për rehabilitimin e Slobodan Millosheviçit, përgjegjës për gjenocidin në vendet e ish Jugosllavisë, i cili u akuzuar nga Tribunali ndërkombëtar në Hagë për krime të luftës; bëri thirrje për trajtimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit pa ndonjë diskriminim, adresimin e mosndëshkimit dhe sigurimin e përgjegjësisë; kërkoi nga të gjitha autoritetet në rajon që të vazhdojnë të punojnë në çështjen e fatit të personave të pagjetur dhe tua garantojnë të drejtat viktimave të luftës dhe të familjeve të tyre, duke i kushtuar vëmendje të veçantë viktimave të dhunës seksuale.
27. E konsideron të domosdoshme harmonizimin e politikave të Kosovës për mbeturinat dhe mjedisin me standardet e BE-së;
28. I bëri thirrje qeverisë së Kosovës që të përgatisë një Plan Veprimi për të zbatuar Strategjinë e Energjisë të miratuar kohët e fundit, duke marrë një qasje gjithëpërfshirëse në sigurinë e energjisë, duke përfshirë burimet e ripërtërishme dhe energjinë efiçiente; mori në konsideratë nënshkrimin e kontratës nga qeveria e Kosovës me një kompani private për të ndërtuar një termocentral të ri të linjitit dhe theksoi nevojën për të shqyrtuar ndikimin buxhetor të projektit dhe qëndrueshmërinë e tij fiskale si dhe për t'u harmonizuar me acquis të BE-së; i bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të zhvillojnë një strategji efektive klimatike në përputhje me marrëveshjen e Parisit; theksoi rëndësinë e trajtimit të dimensionit mjedisor të energjisë;
29. Përshëndeti përfshirjen e Kosovës në programet COSME, Erasmus +, Evropa Kreative dhe Evropa për Qytetar, duke theksuar rëndësinë e përdorimit më të mirë të mundësive të ofruara nga këto programe si një mjet për dialogun ndërkulturor, parandalimin e konfliktit dhe ndërtimin e paqes; prandaj mirëpriti përparimin e bërë në përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet shoqërisë civile dhe qeverisë qendrore; konstatoi se janë të nevojshme përpjekje të mëtejshme për të siguruar përfshirjen dhe bashkëpunimin kuptimplotë në nivel lokal; theksoi më tej rolin vendimtar të organizatave të shoqërisë civile në zgjerimin e pjesëmarrjes në jetën qytetare dhe politike, veçanërisht në lidhje me gratë dhe të rinjtë, dhe nevojën për të mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë civile; theksoi rëndësinë e konsultimit të rregullt të shoqërisë civile si pjesë e procesit të vendimmarrjes;
30. Përgëzoi gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të diskutuar dhe kapërcyer çështjet e hapura bilaterale (dypalëshe) nëpërmjet dialogut konstruktiv; shprehu mbështetje për një bashkëpunimit rajonal më të madh dhe gjithëpërfshirës në kuadër të "Procesit të Berlinit" përfshirë këtu pjesëmarrjen (përfshirjen) e parlamenteve kombëtare në këtë proces, dhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që arrihen në nivel të Ballkanit Perëndimor 6 (WB6); përshëndeti rezultatet e Samitit të Sofjes dhe bëri thirrje për zhvillimin e mëtejshëm të nismës së Zonës Ekonomike Rajonale dhe për bashkëpunim të vazhdueshëm në projektet kryesore të infrastrukturës, gjë që do të krijonte mundësi për zhvillim për të gjitha vendet e rajonit; bëri thirrje për bashkëpunim shtesë ekonomik të bazuar në parimin e reciprocitetit të marrëdhënieve midis vendeve;