Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...

E Marte, 18.09.2018




Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, mbajti takimin e radhës e parë të këtij sesioni, të udhëhequr nga Muharrem Nitaj, kryetar.

Në mbledhjen e sotme të komisionit, kryetari Nitaj prezantoi Raportin e Punës së sesionit pranveror për vitin 2018. Nitaj bëri të ditur se Komisioni gjatë këtij sesioni ka mbajtur 19 mbledhje të rregullta. Sipas tij, komisioni ka shqyrtuar katër projektligje: dy prej tyre janë miratuar (Ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje, Ligji për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore) ndërsa do të procedohen në Kuvend për lexim të dytë Projektligji për veprimtaritë hidrometeorologjike dhe Projektligji për Kompleksin Memorial "Adem Jashari" në Prekaz.

Po ashtu, Nitaj, informoi edhe për shqyrtimin e tri raporteve: Raportit për gjendjen e mjedisit për vitin 2016; Raportit vjetor të punës së Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2017, si dhe Raportin vjetor të Autoritetit rregullator për shërbimet e ujit për vitin 2017.

Në vijim, u vunë në pah edhe dy nisma të përfunduara legjislative: Nisma legjislative për hartimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për rregullimin e shërbimeve të ujit si dhe atë të hartimit të Projektligjit për Kompleksin Memorial "Adem Jashari" në Prekaz.

Anëtarët e komisionit e vlerësuan të realizuar planin e punës së sesionit pranveror, me arritjet dhe objektivat e parapara në plan.

Në komision u diskutua edhe për planin e punës së Komisionit për sesionin vjeshtor, ndërkaq, në mbledhjen e radhës do të shqyrtohen dhe plotësohen çështjet me prioritetet.

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...