Lajmet e fundit
Javën e ardhshme mbahet takimi Kosovë – BE për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit
E Premte, 14.09.2018
Komisioni Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit Kosovë - BE do të mbajë takimin e pestë më 17 dhe 18 shtator në Prishtinë. Ky komisioni përbehet nga dy delegacione: delegacionit parlamentar të Kosovës që kryesohet nga deputeti Memli Krasniqi dhe delegacionit të parlamentarëve evropianë, që kryesohet nga Tonino Picula.
Për mbledhjen e këtij komisioni, përgatitjen e tij dhe temat që do të diskutohen, sot ka mbajtur takim delegacioni kosovar.
Memli Krasniqi, kryesues i delegacionit kosovar, prezantoi temat e mbledhjes se Komisionit Kosovë - BE dhe foli për rëndësinë e shtimit të angazhimit për mbikëqyrjen e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Krasniqi po ashtu theksoi nevojën që të shtohen përpjekjet e të gjithë akterëve politikë në Kosovë në rrugën drejt integrimeve euro-atlantike.
Ai njoftoi se tema të diskutimit në mbledhjen e Komisionit Kosovë - BE do të jenë: raportet Kosovë - BE, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, zhvillimi ekonomik dhe zbatimi i MSA-së, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe tema të tjera.
Krasniqi ka njoftuar anëtarët e delegacionit se në këtë takim do të flasë edhe kryeministri Ramush Haradinaj, ndërkaq në emër të BE-së, përfaqësuesja për Kosovë, Natalya Apostolova.