Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike...
E Hënë, 10.09.2018
Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, kryesuar nga kryetari Nait Hasani, shqyrtoi çështjet vijuese të projektligjeve që bien në fushëveprimtarinë e këtij komisioni.
Në këtë takim, kryetari Hasani bëri të ditur se në Komisionin që ai udhëheq janë gjashtë projektligje në procedurë. Sipas tij, raportet me amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Statistikat Zyrtare të Republikës së Kosovës, si dhe Projektligjin për lirinë e asociimit në Organizatat Joqeveritare, janë proceduar në komisionet përkatëse (të përhershme). Ndërkaq, Projektligji për Qasje në Dokumentet Publike ka kaluar në parim, i cili më pas do të vazhdojë me procedurat tjera.
Po ashtu, Hasani informoi edhe për Projektligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës, i cili është shqyrtuar në komision dhe pritet të miratohet në parim nga Kuvendi. Më tutje ai vuri në pah edhe shqyrtimin në komision të Projektligjit për aderimin e Kosovës në marrëveshjen për themelimin e shkollës rajonale të Administratës Publike (ReSPA), si dhe Raportin për gjendjen në shërbimin civil të Republikës së Kosovës për vitin 2017.
Në vijim Hasani, foli edhe për dy nismat legjislative të komisionit, lidhur me plotësim- ndryshimin e Ligjit për Komisionin e Pavarur për Media, si dhe nismën ligjore për hartimin e Draft-ligjit për mediat në Kosovë.
Në fund të takimit, kryetari Hasani njoftoi anëtarët e komisionit lidhur me një takim pune, me ftesë të ministrit të Administratës Publike, Yahir Yagcilar, i cili do të mbahet të mërkurën, më 12 shtator 2018, duke filluar nga ora 10:00 në Villa Gërmia, për të diskutuar lidhur me pakon legjislative të reformës së administratës publike, përkatësisht: Projektligjin për Pagat, Projektligjin për Zyrtarët Publikë, si dhe Projektligjin për Administratën Shtetërore dhe Agjencitë.