Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

E Marte, 23.04.2019




Në mbledhjen sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetarja Blerta Deliu-Kodra, kryetare, ka raportuar zv/kryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, lidhur me përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA-ja dhe forcimin e lidhjeve midis Kosovës dhe BE-së.
Një temë e veçantë, po ashtu, ishte ajo e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, sikurse edhe pretendimet e Serbisë për tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Ministri Pacolli tha se është duke u punuar që vizat të hiqen sa më shpejt dhe shprehu besimin se kjo do të ndodhë brenda këtij viti.
Ai tha se sigurinë për liberalizim të vizave ia japin deklarimet e zyrtarëve të BE-së dhe takimet që ai tha se ka realizuar me zyrtarë të Francës dhe Gjermanisë. Mirëpo, hezitim për largim të vizave, sipas tij, ka nga ana e Holandës.
Sa i përket pretendimeve të Beogradit për tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës, ministri potencoi se shtetet nuk kanë tërhequr njohje, por vetëm i kanë ngrirë marrëdhëniet diplomatike me Kosovën, për arsye të propagandës serbe dhe dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se ato shtete do të kthejnë marrëdhëniet diplomatike ashtu siç kanë qenë më parë, pas arritjes së marrëveshjes në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
Pacolli shtoi se lajmet për tërheqje të njohjeve do të demantohen me anë të vizitave që do të ndodhin në Kosovë nga përfaqësues të atyre shteteve që po pretendohet që kanë tërhequr njohjen.
Ministri theksoi se Kosova është duke punuar për të vendosur marrëdhënie me shumë shtete. Ai potencoi se Kosova ka hapur ambasadë në Portugali dhe se është duke punuar në hapjen e ambasadave në disa vende afrikane.
Në lidhje me njohjet e reja, ai tha se kjo është vështirësuar për shkak të ndryshimit të gjeopolitikës ndërkombëtare.
Kryetarja e komisionit, Blerta Deliu-Kodra, shtroi disa pyetje për ministrin në lidhje me tërheqjen e njohjeve, rikthimin e 110 kosovarëve nga Siria, MSA-në, liberalizimin e vizave etj.
Ministri Pacolli theksoi se Ministria e Punëve të Jashtme është duke punuar vazhdimisht në përmbushjen e obligimeve të veta dhe tha që ka pasur vizita në 54 shtete afrikane për lobim. Për të kthyerit nga Siria, ai theksoi se Kosova në këtë aspekt ka punuar me partnerët e saj.
Nga ana e deputetëve, ministri, ndër të tjera u pyet se sa njohje i ka realisht Kosova, a është demarkacioni me Malin e Zi punë e kryer dhe sa njohje të reja i kanë ndodhur Republikës së Kosovës gjatë mandatit të tij.
Ministri u përgjigj se Kosova ka 116 njohje dhe se gjatë mandatit të tij kanë ardhur dy njohje të reja.
Sa i përket demarkacionit me Malin e Zi, ai tha se komisioni malazez është i gatshëm të bashkëpunojë me atë të Kosovës në lidhje me demarkacionin.

 

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Integrime EvropianeNga mbledhja e Komisionit për Integrime EvropianeNga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane