Lajmet e fundit

Nga Komisioni për Punë të Brendshme...

E Mërkure, 19.12.2018




Sot u mbajt mbledhja e radhës e Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga kryetari i këtij komisioni, Haxhi Shala.

Në mbledhje ishin i ftuar për raportim ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qelaj.

Ministri Mustafa në raportin e tij theksoi objektivat të cilat do të jenë prioritet gjatë mandatit të tij. Ai me theks të veçantë foli për luftën kundër korrupsionit, kundër trafikimit të lëndëve narkotike, trafikimit me qenieve njerëzore etj.

"Disa nga objektivat e mia janë: parandalimi i korrupsionit, krimit të organizuar, trafikimit me njerëz, krimit ekonomik, nepotizmit. Do t'i japë vëmendje edhe luftimit të terrorizmit, së bashku me partnerët ndërkombëtarë. Rol të rëndësishëm ka edhe siguria në trafik, për të cilën do të bashkëpunojmë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe komunat. Kujdes të veçantë do t'i kushtoj edhe luftës kundër trafikimit me qenie njerëzore", theksoi ministri.

Po ashtu, ai tha se ndër objektivat kryesore të tij është edhe lidhja e marrëveshjeve me shtetet e rajonit dhë më gjerë, si me Forenzikën e Kroacisë e të Italisë, ndërsa bëri të ditur se ende po zhvillohen bisedime me atë të Turqisë.

Nga ana tjetër, drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qelaj, tha se objektivat e institucionit që ai e drejton janë të përcaktuara me planin strategjik 2017-2020.

Ai tha se kërkesën që e ka bërë në fillim të mandatit të tij, për një auditim të brendshëm, sidomos në fushën e financave, logjistikën dhe fusha të tjera më të ndjeshme, në mënyrë që të jetë më i informuar rreth nevojave dhe problematikave të institucionit.

Ai tha se reformat e ndërmarra kanë ndikuar në disiplinimin e policëve, sidomos sa i përket respektimit të orarit të punës, ndërsa ka filluar, sipas tij, procesi i rishikimit të strukturave organizative.

"Jemi edhe duke i rishikuar strukturat organizative. Kemi një projekt 4-vjeçar nga BE-ja. Tani do ta kemi edhe një njësi për integritet në Policinë e Kosovës. Po ashtu, në Policinë e Kosovës kemi një administratë më të madhe dhe tendenca jonë është ta reformojmë atë. Deri në fund të muajit janar do të shpallim të gjitha pozitat e drejtorëve, komandantëve, në qoftë se janë mbi 5 vjet në një pozitë, sepse mendojmë që ajo i konsumon", u shpreh Qelaj.

Në bashkëbisedim me anëtarët e komisionit, këta të fundit hapën debat lidhur me procedimin e disa ligjeve të rëndësishme për policinë. Po ashtu anëtarët e komisionit kërkuan që ministria të ketë përkushtim dhe bashkëpunim më të madh më të ngushtë me policinë.

Anëtarë të komisionit adresuan edhe pyetje të tjera lidhur me gjendjen në veri të vendit, rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq etj.

 

 

 

Nga Komisioni për Punë të Brendshme...