Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike...

E Hënë, 17.12.2018




Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, ka mbajtur sot takimin e radhës kryesuar nga Nait Hasani, kryetar, në të cilën ishin të ftuar Bordi i RTK-së, për të qartësuar procedurat e anulimit të konkursit për Drejtor të përgjithshëm të RTK-së.

Anëtarja e Bordit te RTK- së, Afërdita Maliqi, në mënyrë kronologjike bëri të ditur mënyrën e procedurave dhe kriteret e konkursit për Drejtor të përgjithshëm të RTK-së. Maliqi bëri të ditur se me datë 19.11.2018 me vota unanime, Bordi ka vendosur që të shpallë këtë pozitë në bazë të Ligjit të RTK-së.

"Konkursi ka qenë i hapur deri me datë 3 dhjetor, 2018, ndërsa për këtë pozitë kanë aplikuar pesë kandidatë. Për kriteret dhe kushtet e parapara në konkurs, është rënë në ujdi me të gjithë anëtarët e bordit", deklaroi Maliqi.

Ndërkaq, lidhur me procedurat administrative, ajo tha se me rekomandim të administratës së RTK-së, si dhe të Inspektoratit të punës, bordi ka vepruar sipas udhëzimit administrativ 07/2017 me të cilin operon transmetuesi publik. Ajo, shtoi se RTK-ja është institucion i rëndësisë së veçantë dhe se nuk i nënshtrohet Ligjit të shërbimit civil, por, sipas saj, ky medium operon sipas udhëzimit administrativ të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Me pas, Maliqi sqaroi se me datë 11 dhjetor, sipas proceduarve që parasheh udhëzimi, komisioni ka shqyrtuar aplikacionet e kandidatëve. Sipas saj, nga pesë kandidatët aplikues, tre prej tyre nuk i kanë plotësuar kriteret e konkursit, për të vazhduar me procedurat e intervistimit. Me këtë rast, tha ajo, bordi njëzëri ka marrë vendim që të rishpall konkursin edhe njëherë në mungesë të përmbushjes së kritereve të parapara me konkurs të kandidatëve aplikues. Maliqi, po ashtu, theksoi se nuk është bërë shkelje ligjore, duke vlerësuar se çdo gjë ka qenë transparente.

Anëtarët e komisionit shtruan pyetje lidhur me: kriteret e konkursit, nëse ato ishin të njëjta me ato të vitit 2015, kriterin e përvojës menaxheriale mediale nga 3 në 7 etj.

Po ashtu, në komision u bë e ditur lidhur me një kërkesë të ardhur nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyes Civil, drejtuar komisionit lidhur me interpretimin e një neni për vazhdimin e mandatit të anëtarëve të bordit në këtë institucion.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike...