Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale

E Mërkure, 12.12.2018




Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale nën drejtimin e kryetares së komisionit, Besa Baftiu, zhvilloi një takim me ministrin e Ministrisë së Shëndetësisë, Uran Ismaili, lidhur me procesin e revidimit të listës esenciale të barnave; vonesat në përmbushjen e agjendës legjislative, projeksionet buxhetore të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2019.

Ministri Ismaili bëri një pasqyrë të situatës dhe punës konkrete të Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me pikat e mësipërme. Ai tha se lista esenciale për barnat është në proces, pasi prej vitit 2012 ka munguar dokumenti themelor bazë dhe gjatë punës kemi hasur në një problematikë mjaft të thellë. Jemi përpjekur të eliminojmë konfliktin e interesit duke i larguar nga procesi të gjithë ata që kanë marrë pjesë dikur. Kemi themeluar Komitetin dhe nën komitetet që të ndahet procedura e punës dhe të porositen produktet nga specialistët e profileve shëndetësore. Kemi pasur trajnime të ndryshme me specialistë të OBSH për të rritur transparencën dhe të familjarizohen specialistët tanë me praktikat më të përparuara ndërkombëtare duke shmangur përfundimisht klientalizmin dhe interesat individuale.

Lidhur me vonesat në përmbushjen e agjendës legjislative, ministri Ismaili sqaroi deputetët se ka një diskordancë midis kërkesave politike dhe gjendjes reale në Kosovë, si mungesa të mëdha të personelit, dokumentacionit, ideve të qarta etj. Ai ndër të tjera theksoi se nxjerrja para kohe e ligjit krijon probleme dhe përplasje me gjendjen reale në terren. Ndërsa për projeksionet buxhetore për vitin 2019, Ministria e Shëndetësisë, theksoi ai, ka përfituar një fond shtesë prej 31 milion euro krahasuar me vitin 2018 dhe ne kemi buxhet për trajtimin e klinikave, por nuk i kemi përcaktuar se cila klinikë, sepse nuk kemi projekte të sakta.

Pothuajse të gjithë deputetët (në këtë takim ishin të gjithë anëtarët e komisionit) diskutuan dhe shtruan pyetje të ndryshme, për të cilat morën përgjigje nga ministri Ismaili.

Mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale